Me katër republikanë që njoftojnë hapur se do të mbështesin haptazi shkarkimin e Presidentit Trump për nxitjen e dhunës ndaj Kongresit Amerikan, Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve janë gati për një votim historik për të hequr presidentin nga zyra e tij

 Dhoma e ulët e parlamentit amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi një rezolutë të martën duke i bërë thirrje Zv.Presidetit Mike Pence të fillojë procesin, i cili mbështetet në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, për të hequr Presidentin Donald Trump nga pushteti.

Por Pence i është drejtuar me një letër Kryetares së Dhomës Nancy Pelosi, duke i thënë se ai nuk e pranonte iniciativën dhe nuk do ta bënte atë.

Mbështetja në Amendamentin 25 nënkupton që Pence dhe shumica e administratës Trump do të duhet ta deklarojnë Trump-in të paaftë për të kryer detyrat e tij.

Pozicioni i zv.presidentit nënkupton se demokratët do të vijojnë me votimin për Impeachment.

Ligjvënësit republikanë mbështesin demokratët

Demokratët sigurojnë mbështetjen e disa ligjvënësve republikanë në përpjekjen për të shkarkuar presidentin amerikan Donald Trump.

Zyrtarja e tretë më e lartë republikanë në dhomën e përfaqësuesve, dhe vajza e ish-zëvendës presidentit Dick Cheney, tha se do të votonte për nisjen e procedurave të impeachment ndaj Trump, lidhur me trazirat e javës së kaluar në Kongres. Dy pjesëtarë të tjerë të partisë së presidentit Trump, John Katko dhe Adam Kinzinger, thanë se do të votonin për shkarkimin e tij.

“Më shumë do të mësohet gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim por ajo që dimë është e mjaftueshme. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, organizoi turmën dhe nxiti sulmin në Kongres. Çdo gjë që pasoi ishte vepër e tij. Unë do të votoj për të shkarkuar presidentin”, u shpreh Liz Cheney, ligjvënëse republikane.

Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë i partisë së presidentit në detyrë, mbështet Impeachment, që prej udhëheqjes së Richard Nixon.

Mediat amerikane thanë se kreu i republikaneve në dhomën e ulët, Kevin McCarthy, aleat i Trump, vendosi të mos iu kërkojë pjesëtarëve të partisë të votojnë kundër një mase të tillë. Ndërkaq New York Times, shkruan se lideri i republikaneve në senat, Mitch McConnell, është shprehur për persona të afërt se ishte i kënaqur me vendimin e demokratëve për të shkarkuar dhe ndjekur penalisht presidentin, pasi në këtë mënyrë partia do të shpëtonte prej tij.