Biznesmeni Gjergj Luca ka akuzuar kandidatin për deputet në Elbasan, Luçiano Boçi, lidhur me përplasjen fizike që ndodhi sot në një lokal në Labinot.

Luca e quajti Boçin një politikan rrugaç duke thënë se ky i fundit e ka provokuar sherrin që ndodhi.

“Luçiano Boçi është politikan rrugaç. Ai më shau dhe më provokoi. Politikanë që sillen si rrugaç nuk jam mësuar të njoh, rasti i parë i një politikani që sillet si rrugaç. Isha duke u futur që të pija një kafe, ky ishte vetë i dytë apo i tretë mos gaboj. Filloi duke më sharë, iu ktheva duke i thënë ça ke, pse më ngacmon. Donte më çdo kusht të më ngacmonte. Luçiano ka tentuar disa herë, nxori në rrugë njerëzit duke thënë se kam bërë shkollën dyqan peshku dhe herën tjetër nxori komshinjtë e mi më erdhën te dera. Nuk i kam thënë kurrë asgjë duke menduar se e bën për politik, më provokoi, shau dhe me ato fjalë. Ai ishte duke folur me një njeri, unë po hyja të pija kafe dhe më e bukura është se më kanë grabitur telefonin, më ra telefoni në tokë dhe ma kanë marrë, nuk ma japin, megjithatë uroj Zotin që kjo të zbardhet. Karburanti i ka kamerat dhe ta zbardh.” – ka thënë Luca.

Më herët, ish-deputeti i PD-së, e denoncoi Lucën se e kishte kërcënuar me jetë e sulmuar fizikisht pas një takimi me mbështetësit e tij në Labinot.

Sipas demokratit ai ka qenë i vetëm, ndërsa Luca ka qenë i shoqëruar nga rojet e tij kur e ka sulmuar.

“Një agresion, sulm i Lucës. Këto janë plehrat e Ramës  që ai i ndërsen kundër kundërshtarëve. Ky është një agresion politik. Vija nga një takim me përfaqësues të zonës. Në ikje, ky person fillon e sulmon me fjalë dhe pastaj në përpjekje për të gjuajtur. Më pas më kërcënoi me jetë. Përgjigjen këta njerëz do ta marrin çdo ditë dhe përgjigjen e madhe do ta marrin në datën 25 prill. Pasi skllavërojnë njerëzit, ata mendojnë se mund të sulmojnë çdo njeri. Unë isha i vetëm, kur ai bashkë me disa roje të tij erdhi dhe më sulmoi. Bënte skena sikur ishte i armatosur, dhe sillej si një bandit. Luca ka një histori të pasur me përplasjet në Labinot, ka rrëmbyer prona në Labinot, por nuk i ka hyrë gjë në këmbë, pasi i duket vetja trim se ka në krah Ramën. Këto trima, do të luten pas datën 25 prill.” – tha gjatë deklaratës së tij, Luçiano Boçi.