Policia e Durrësit arrestoi të martën 5 persona që dyshohet se kanë krijuar një skemë mashtrimi për mospagimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) – një tatim i përgjithshëm që i shtohet mallrave dhe shërbimeve mbi çmimin bazë të tyre. Dëmi ekonomik ndaj shtetit përllogaritet në vlerën rreth 6 milionë euro.

Gjatë operacionit policor të koduar “Skema”, përveç arrestimeve u vendos sekuestro preventive për disa prona që arrijnë vlerën 2 milionë euro.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar shoqëri fiktive me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore,” thuhet në njoftimin e policisë.

Pesë të arrestuarit janë nga mosha 30 deri në 48 vjeç, të gjithë me banim në Tiranë.

Ata akuzohen për veprën penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, procedim penal që ishte regjistruar në Prokurorinë Durrës.

Në sekuestro preventive u vendos kompania e quajtur “Alfa Nikel” sh.p.k., një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700 metër katror në fshatin Dhërmi dhe një apartament me sipërfaqe 215 metër katrorë.

Në banesën e njërit prej të arrestuarve, policia gjeti një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive. Operacioni policor u zhvillua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, drejtoritë vendore në Durrës dhe Vlorë, në bashkëpunin me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Policia njoftoi se nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijon puna për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari, si edhe sekuestrimin e pasurive të tjera të përfituara.