Policia ka arrestuar një nga tre autorët e plagosjes së biznesmenit Spiro Iljadhi, 35 vjeç, mëngjesin e djeshëm në Sarandë, ku plumbave nuk iu shpëtoi as një kalimtar i rastit turisti shqiptaro-amerikan Mario Jani, 33-vjeç.

Në prangat është vënë shtetasi Redjan Haderi, 33 vjeç nga Tepelena, i cili është arrestuar mëngjesin e sotëm. Mësohet se 33-vjeçari ka pranuar krimin para oficerëve të policisë, ndërsa ka nënvizuar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit.

Në kërkim si autorë të kësaj ngjarje janë dhe dy vëllezërit Andrea Caushi , 35 vjeç dhe Visi Caushi, 33 vjeç.

Spiro Iljadhi është pronari i lokalit të njohur në Sarandë, “Bar Orange”. Ai njihej gjithashtu edhe me emrin Ermal Iljazi, ndërsa shkurt thirrej me emrin ‘Ero’.

Biznesmeni u transportua me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Plumbat e kanë prekur në bark dhe ka dëmtime të zorrëve.

Tre autorët e ngjarjes akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.