Policia greke në doganën e Kapshticës ka ndërprerë punën mëngjesin e sotëm pasi u arrit kuota ditore prej 300 personash për të kaluar kufirin në drejtim të vendit fqinj.

Po ashtu, është vendosur dhe një kordon policor i cili nuk lejon shtetasit shqiptarë të afrohen drejt sportelit të pikës kufitare të Kapshticës.

Nga ana e vet, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë, përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat u bën thirrje shtetasve shqiptarë që qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që të mos vijojnë udhëtimin në drejtim të PKK Kapshticë për ditën e sotme.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët që janë të interesuar të kalojnë në drejtim të shtetit grek, se aktualisht kuota prej 300 shtetas është plotësuar dhe nga ana e policisë greke është pezulluar puna e nuk do të lejohet kalimi i personave të tjerë për ditën e sotme.

Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që të mos vijojnë udhëtimin në drejtim të PKK Kapshticë për ditën e sotme”, thuhet në njoftim.

Një muaj më parë në dy pikat kufitare atë të Kapshticë dhe të Kakavijës u krijua një situatë tepër e vështirë. Të shumtë ishin emigrantët, të cilët në përpjekje për të kaluar drejt vendit fqinj qëndruan me ditë të tëra në rrugë, së bashku më fëmijët dhe të moshuarit.

Pas kësaj, pala greke caktoi një rregull të ri duke kufizuar numrin e atyre që do lejoheshin të kalojnë drejt Greqisë. Kështu, në pikën kufitare të Kakavijës në Gjirokastër u vendos rregulli i ri nga pala greke që do të kalonin 750 qytetarë në ditë, kurse në Korçë vetëm 300 të tillë.

Radhët e gjata në pikat kufitare u shoqëruan me akuza të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës, kurse kreu i shtetit, Ilir Meta, ftoi qeverinë të marrë masa konkrete, që mos t’i lërë shqiptarët rrugëve “sikur të ishin pa shtet dhe pa komb”.