Policia ka ripërsëritur edhe sot thirrjen ndaj qytetarëve për t’u treguar të kujdesshëm në lidhje me postën elektronike dhe sulmet nga hakerat mashtrues kibernetikë. Institucioni ritheksoi se ka marrë referime se u kanë mbërritur në postën elektronike mesazhe me emër të drejtuesve të policisë që shoqëroheshin me mandat gjykate.

Nëpërmjet njoftimit të bërë ditën e sotme, policia bën me dije se që pas njoftimit të djeshëm, është arritur parandalimi i pasojave të mëtejshme për qytetarët.

Dje u theksua nga policia se mesazhe të tilla, kanë shkaktuar dëm ekonomik për qytetarët dhe bizneset të cilave u drejtohej. Ndërkohë vijon puna për identifikimin e autorëve që fshihen pas këtyre mashtrimeve kompjuterike.

– P

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dje, më datë 22.06.2023, është vënë në dijeni të një fushate mashtrimi nëpërmjet sistemeve kompjuterike e cila synonte persona fizikë dhe juridikë, pa dallime të caktuara, me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare. Nga veprimet e shpejta të ndërmarra nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, përsa i përket njoftimit të të gjithë qytetarëve dhe kontaktimit të çdo shtetasi apo subjekti të prekur nga kjo veprimtari kriminale, sot konstatojmë se kemi arritur të parandalojmë pasojat e mëtejshme, si dhe dëmet monetare për qytetarët”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e policisë.