Sot, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës jep lajmin e hidhur:

 

U NDA NGA NE POETI YNË I NJOHUR, SABIT IDRIZI (1955-2023)
Sabit Idrizi lindi më 16 shtator 1955, në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe. Ka botuar këto vepra: “Pesha e fundshekullit”, poezi, 1995; “Përderisa është e martë”, poezi, 1997; “Diell me dhëmbë”, poezi, 1998; “Finalja e zhgënjimit…”, ditar, 2000; “Mbretëresha është gjallë”, poezi, 2006; “Zarfi”, roman, 2008, “Ma fsheh bregun tjetër”, poezi etj.
Është nderuar me disa çmime letrare, ndër të cilat edhe me çmimin letrar në nivel kombëtar “Konstandin Kristoforidhi” të Elbasanit.
Ishte shef i Sektorit të Kulturës të komunës së Mitrovicës, kryeredaktor i revistës letrare “Fjalë e valë”, që e boton shoqata e shkrimtarëve “Jakup Ceraja” e Mitrovicës. Ishte redaktor, recensues e lektor i shumë veprave letrare të autorëve të ndryshëm.
Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin në shumë troje tona.
Shkroi poezi e prozë, por vokacioni i tij poetik ishte i veçantë. Bota poetike lidhej me jetën dhe pothuajse tërësisht me kombëtaren, dashuri të cilën ka ditur ta fisnikërojë nëpërmjet vargut artistik, me shprehje tërheqëse dhe me një figuracion brilant me mesazhe që përvetësohen këndshëm nga receptuesi. (sh)

Sabit IDRIZI
BASHKUDHËTARJA IME
(Gruas sime, Hajries, e cila po lëngon
nga një sëmundje e rëndë)

Nga po resh gjithë kjo verdhësi
Mbi hartën e përhirtë të ëndrrave tuaja

Kur të pashë sot në mëngjes
Aty përpara Shtëpisë së Shëndetit
Thashë se nga vetura nuk zbrite ti
Po vetë kulmi i vjeshtës

Me atë shikim prej mjegulle
S’dija a po më luteshe për diçka
A po m’i shigjetoje vitet e mbetura

Ani
Le të ketë mungesë barnash
Mungesë filmash të rëntgenit
Shkelje betimesh të Hipokratit

Ne do të shkojmë prapë
te doktoreshë Mevlydja në Shupkovc
E ta marrim edhe pak melhem shpirti
Që t’mos na pëlcasë kjo ditë këtu

Ndalja nuk është rrugë
Bashkudhëtarja ime prej ëndrrash
E ne kemi për të shkuar diku