Nga Entela Resuli

Nuk është e zakonshme që në një studio pikture, të shohësh një djalë të ri, 19 vjeç, i cili e kalon ditën mes bojërave dhe penelave.

Në një moshë të tillë të rinjtë janë në dilemë për të kuptuar se çfarë duan për të ardhmen e tyre.

Por nuk është ky rasti i David Meçanit. Ai i ka të qarta idetë dhe është duke punuar për t’i realizuar ato.

Davidi është piktor, pasi ka një studio pikture, ku punon dhe ekspozon punimet e tij, por nga ana tjetër është një inxhinier i ardhshëm. Ai vazhdon studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës për Inxhinieri Elektrike.

Ku bashkohet piktura me inxhinierin? Davidi ka arritur t’ia gjej fijet e përbashkëta e për rrjedhojë vazhdon paralelisht me të dyja, duke u kujdesur që ato mos të bëjnë “xing” me njëra-tjetrën.

Talenti në pikturë i është dalluar qysh në fëmijëri.

“Si të gjithë fëmijët edhe unë vizatoja kur isha i vogël. Në klasë të pestë, zysha e vizatimit, mesa duket pa diçka tek unë, dhe filloi të më stimulonte më tepër, me jepte detyra shtesë, e për pasojë edhe mua po më pëlqente. Kështu, si pa kuptuar vazhdova, dhe sot jam këtu…”

Nga lapsat, tek ngjyrat e më pas te bojërat e ujit dhe të vajit, pasioni për pikturën u rrit brenda Davidit, të cilit për të zhvilluar këtë talent nuk i është dashur sforco, por çdo gjë ka rrjedhur natyrshëm.

Ai ka qenë nxënës ekselent i gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. I shkëlqyer në të gjitha lëndët, edhe në shkencat ekzakte, për ta sqaruar, se ndoshta për piktorët mendohet ndryshe! J.

Duke parë këtë talent të Davidit, prindërit nuk ia ndrydhën pasionin, por përkundrazi, e shtynë atë për ta zhvilluar edhe më tej dhuntinë e tij duke marr pjesë në kurse pikture.

Kjo gjë e ndihmoi atë të mësonte më tepër rreth teknikave të pikturës, por edhe historisë së saj.

“Në vit të parë të shkollës së mesme e kam kuptuar që iu futa seriozisht kësaj rruge, pasi aty nisa të dal në natyrë”- tregon Davidi i cili studion e ka të mbushur plot me tablo ku ka pikturuar peizazhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë.

Natyra

Si pa kuptuar duket se deri më tani Vlora është qyteti më i pikturuar nga ai. Këtë e shpjegon me faktin se është vendi i origjinës së prindërve të tij dhe atje ka gjetur më shumë qoshe ku ka vendosur kavaletën dhe më pas ka kapur detajet që i duhen dhe që e kanë frymëzuar për të pikturuar.

Nëse futesh në studion e Davidit, pikturat më të shumta janë ato të natyrës…

“Natyrën e dua dhe mendoj se më rri shumë mirë. Mua më pëlqejnë dhe kam studiuar shumë piktorët klasik, Rembrandi, është i parapëlqyeri im. Kjo puna e penelave të shkujdesur, ndoshta vjen me kalimin viteve dhe eksperiencën. Për momentin qëndroj mirë tek natyra dhe peizazhet. Pasi piktori evoluon gjatë viteve. Ndoshta kjo gjë mund të ndodh edhe mua. Që unë të bëj një pikturë abstrakte, duhet të di të bëj shumë mirë realisten, pasi ajo abstraktja nuk është rastësisht ashtu, ka një mesazh të mirë menduar dhe ata që do e shohin duhet ta zbërthejnë atë. Edhe piktura ka kodet e veta”.

Teksa sheh pikturat e tij, e imagjinon atë si një udhëtar, i cili si çantë shpine ka kavaletën. Në fakt pamja nuk është shumë larg kësaj.

“Udhëtoj në të gjithë Shqipërinë.  Gjej gjithandej peizazhe të veçanta dhe natyrë të bukur. Drita që është në jug, ajo e detit në mëngjes, është komplet ndryshe nga drita në mal, në Theth, në Lëpushë për shembull. Janë dy gjera krejt të ndryshme, por jashtëzakonisht të bukura të dyja”.

Inxhinieri vs piktori

19-vjeçari pret të filloi vitin e dytë për inxhinieri elektrike.  Përveç kombinimeve të ngjyrave një nga pasionet e tij më të mëdha janë edhe formulat e matematikës.  Përgjithësisht piktorët e dembelosin trurin nga kjo anë, por kjo nuk ndodhka me Davidin.

“Më pëlqen shumë fizika, matematika, shkencat ekzakte. Isha në një dilemë të madhe se për çfarë do i vazhdoja studimet e larta , por vendosa të studioi inxhinieri dhe paralelisht pikturë”.

Davidi e imagjinon veten një inxhinier, i cili pasi është kthyer nga puna, pasdite të qetësohet duke pikturuar.  Një terapi e mirë kjo, për kohët që po jetojmë!

Inxhinieria ishte zgjedhja e parë. Ajo më pëlqente dhe në bazë të rezultateve isha i sigurt që e “kapja”.

Ndërkohë po mendoj të vazhdoj një akademi online, për të përgatitjen e mjeshtrave të rinj  në pikturë. Është një shkollë 3 vjeçare së cilës do i dedikohem së shpejti.

Por Davidi nuk qëndron vetëm tek natyra, në studion e tij na bien në sy edhe piktura historike, një prej tyre është Lufta e Vlorës, një tablo me përmasa të mëdha dhe duket se ka qenë një ndër punët më të vështira të tij.

Kjo është nga ato pikturat e menduara, jo spontane. Është Lufta e Vlorës ku gjyshi im ka marr pjesë dhe për të nderuar kujtimin e tij vendosa të bëj këtë pikturë. Me dukej si diçka që më përkiste dhe doja ta bëja”- tregon Davidi në studion e të cilit nuk mungon as portreti i Ismail Qemalit.

Një nga portretet që ka më shumë përzemër është ai i një shqiptari të Kosovës i cili është fotografuar teksa mban në dorë fotot e fëmijëve të tij të humbur gjatë luftës. Një portret i dhimbshëm, por që tregon vuajtjet e një populli shkaktuar nga pushtuesit. Mes tablove të shumta të Davidit gjendet dhe ky portret  i trishtë, si për të na kujtuar se jeta i ka të gjitha ngjyrat e saj./DITA