Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se në 8 Janar 2022 do të mbahet protestë për të rimarrë godinën e selisë së PD nëse Lulzim Basha nuk del nga zyra.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, i pyetur nga gazetarët nëse policia do të mbrojë selinë e PD në 8 Janar, e konsideroi këtë histori “një shëmti dhe keqardhje”.

Rama u shpreh se atë ditë do të lexojë “Mujin dhe Halilin”, ndërsa gazetarëve u rekomandoi që “të bëhen gati për estradë”.

“E kam në plan të merrem me leximin e Mujit dhe të Halilit dhe jo me temën e kullës së PD se kjo u bë si legjendë kreshnikësh që do përballen filan datë. Ky është një qamet i madh, është një shëmti e madhe, qesharak, marrëzi, por është edhe pak si ajo shprehja që ç’a të kërkosh do gjesh.

I shkoi jeta duke kërcënuar e duke luftuar për të marrë Kryeministrinë, tani po luftojmë për të marrë Partinë Demokratike. Keqardhje e madhe por dhe shumë qesharake me thënë të drejtën. Përgatituni për estradë”, u shpreh Rama në fjalimin e fundvitit me gazetarët.