Makinat Tesla janë të ndaluara të hyjnë në komplekset ushtarake kineze dhe ndërtesat e apartamenteve, për shkak të shqetësimeve që kamerat e instaluara në automjete mund të mbledhin të dhëna të ndjeshme.

Sipas një urdhri të lëshuar nga ushtria kineze, pronarëve të makinave Tesla u kërkohet të parkojnë automjetet e tyre jashtë zonave ushtarake, raporton BBC.

Ndalimi, i cili u shtri për njerëzit që përdorin strehim ushtarak këtë javë, ka rritur shqetësimet se prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike në botë mbledh të dhëna të ndjeshme përmes kamerave të ndërtuara në të, të cilat qeveria kineze nuk mund t’i zbulojë dhe as t’i kontrollojë, tha një burim.

Kamerat me shumë qëllime dhe sensorët tejzanor në makinat e Tesla-s mund të “ekspozojnë vendet”, dhe automjetet gjithashtu janë të ndaluara të hyjnë në komplekset e strehimit ushtarak, në mënyrë që të sigurojnë sigurinë e të dhënave konfidenciale ushtarake, sipas një njoftimi që qarkullon në rrjetet sociale kineze.

Tesla, si prodhuesit e tjerë të makinave, përdor disa kamera më të vogla, të montuara kryesisht në pjesën e jashtme të automjetit, për ta bërë parkimin më të lehtë, për të mundësuar funksionet autopilot dhe drejtimin autonom.

Ndërsa Elon Musk, shefi ekzekutiv i prodhuesit amerikan të makinave elektrike Tesla, ka mohuar që makinat e tij përdoren për të spiunuar. Musk u shpreh se firma e tij do të mbyllej nëse do të kishte qëllim spiunimin.

Lidhur me këtë debat Musk është shprehur se nëse kjo do të ishte e vërtetë Tesla do të kishte probleme serioze, pasi nuk është e ndershme që një kompani private të përdoret për të spiunuar një qeveri të huaj.

“Nëse Tesla përdor makina për të spiunuar në Kinë ose kudo, ne do të mbyllemi“, u shpreh më tej ai. Kina është tregu më i madh i Tesla-s pas SHBA, pasi llogaritet që një e katërta e shitjeve globale bëhet në Kinë.