Ironikisht një ditë para se të shpërthente në publik skandali i rrjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve, Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligje për informacionin e klasifikuar. Projektligji është hartuar nga Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar.

Projektligji synon që të shfuqizojë ligjin aktual për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me legjislacionin e BE, NATo dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ku vendi ynë bën pjesë.

Në relacionin shoqërues thuhet se projektligji është mbështetur në një vendim të Bashkimit Europian të vitit 2013 dhe dokumentin e politikave të sigurisë së NATO-s të 2019-s.

Ndër risitë kryesore të këtij projektakti është krijimi i autoriteteve të reja për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në sistemet e komunikimit dhe informacionit. Në propozim, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar është përcaktuar si: Autoriteti Kombëtar i Akreditimit të Sigurisë (AKAS); Autoriteti Kombëtar i Testimit dhe Vlerësimit të Sigurisë (AKTVS); Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Komunikimeve (AKSK); Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Kibernetike (AKMK).

Sipas këtij projektligji, DSIK merr një rol rregullator duke pasur kompetencë për të ndërhyrë në rast klasifikimi të parregullt të informacionit. Pra, kjo drejtori mund të klasifikojë si sekret shtetëror një informacion që më herët nuk është klasifikuar si i tillë.

Në ligjin aktual, Presidenti dhe Kryeministri u nënshtrohen procedurave të verifikimit të sigurisë, që në propozimin e DSIK përjashtohen nga këto procedura dhe autorizohen automatikisht që të kenë akses te informacioni i klkasifikuar për shkak të detyrës, pra pajisjen automatikisht me atë që njihet si “certifikatë personale të sigurisë”.

Projektligji zgjeron nivelet e klasifikimit të informacionit, që nga niveli më i ulët, që është “i kufizuar”, “konfidencial”, “sekret” dhe “tepër sekret”, ndërsa është parashikuar dhe koncepti i “deklasifikimit të pjesshëm të informacionit”.

Ndërkohë një tjetër projektligj i qeverisë lidhet me ripërdorimin e të dhënave në sektorin publik. Me anë të këtij projektligji, qeveria synon të përcaktojë informacionet për qytetarët që lejohen për ripërdorim publik për çështje statistikore dhe studimore, me synimin që të hartohen politika më të mira të qeverisjes.

Të dhënat që autorizohen për ripërdorimim janë dokumentet që mbahen nga organet dhe sipërmarrjet publike si dhe për rastet kur kryhen veprimtari nga sektori për prokurimet publike në ofrimin e shërbimeve të ujit, energjitikës, transportit dhe postës. Projektligji ndalon dhënien dhe ripërdorimin e të dhënave në rastet kur cenohet siguria kombëtare.