Një pjesë e madhe e çifteve shqiptare kanë frikë të përdorin kontraceptivë ndërkohë që përjetojnë turp dhe presion social në lidhje me përdorimin e metodave kontraceptive. Këto janë mes të tjerash konkluzionet e nxjerra nga një raport i fundit i Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar.

Studim-raporti nënvizon se problematikat me planifikimin familjar shoqërohen me pasoja për gratë dhe vajzat, “duke rezultuar në humbje të shëndetit e autonomisë dhe duke u përballur me një sfidë edhe më të madhe në përpjekjen për t’u kujdesur për shëndetin dhe trupin e tyre.”

Studimi thekson se faktorët shoqërore ndikojnë së shumti në çështje të planifikimit familjar dhe një pjesë e popullsisë nuk përdor metoda të planifikimit për shkak të klimës së frikës, që ekziston ende midis përdoruesve të kontraceptivëve.

“Frika nga efektet anësore, rrezikshmëria në pjellori, gjakderdhja e rëndë, njolla të zeza, rritja e qimeve në fytyrë etj. ishin idetë e gabuara më të zakonshme të përmendura nga pjesëmarrësit në studim. Burimi i frikës është i rrënjosur kryesisht nga gojëdhëna dhe jo nga burime të besueshme, të tilla si media sociale dhe interneti”, vërehet në raport.

Bashkëshortët kundër metodave kontraceptive
Mosmiratimi i bashkëshortit vazhdon të jetë një pengesë tjetër për marrjen e metodave moderne të kontracepsionit. Ky qëndrim është i lidhur ngushtë me çështjet shëndetësore socio-kulturore, me lidhjet familjare dhe me mungesën e përfshirjes së meshkujve në vendimmarrjen e planifikimit familjar. Frika e identifikimit nga anëtarët e familjes, të afërmit dhe komuniteti, si përdorues të shërbimeve të PF-së ose kontracepsionit modern, lidhej fuqimisht me shthurjen, sjelljet e këqija ose abortin e pasigurt.

“Pavarësisht progresit të mirë në zhvillimin e politikave që favorizojnë shërbimet e PF-së, niveli i përdorimit të kontraceptive në Shqipëri vazhdon të ulet. Perceptimet negative dhe keqkuptimet në lidhje me efektin dhe sigurinë e metodës janë të zakonshme dhe pengojnë përdorimin e shërbimeve të Planifikimit Familjar dhe përdorimin e metodave kontraceptive modern”, nënvizon raporti. Gjithashtu diçka e tillë shoqërohet në disa raste edhe me shtim të dhunës dhe shfrytëzimit me bazë gjinore.

“Përvoja dhe provat nga shpërthime të mëparshme pandemish kanë treguar se kriza mund të sjellë një dëm masiv për gratë dhe vajzat. Stresi, lëvizja e kufizuar dhe ndërprerjet e jetesës gjithashtu rrisin ndjeshmërinë e grave dhe të vajzave ndaj dhunës dhe shfrytëzimit me bazë gjinore. Nëse sistemet shëndetësore përcjellin burimet larg shërbimeve shëndetësore seksuale dhe riprodhuese, aksesi i grave në PF, kujdesi para lindjes dhe shërbime të tjera kritike mund
të jenë në krizë. Politikbërësit, ofruesit dhe avokatët duhet të jenë të vetëdijshëm për lidhjet e gjera midis reagimit global të shpërthimit dhe shëndetit e të drejtave seksuale dhe riprodhuese, në mënyrë që të përgatiten për të zbutur ndikimin”, vërehet në raportin studimor.