Shqiptarët nuk kanë qenë një popull i vogël. Dokumentet flasin për vijimësinë e tyre gjenetike në trevat ku kanë jetuar ilirët dhe arbërit. Arkiva e Venedikut është një minierë e pafundme, ku ka rreth 2500 dosje me materiale për Shqipërinë.

Akademik Pëllumb Xhufi ka mbajtur në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë një leksion akademik me temë “Mesjeta arbërore e shek. XI-XIV: një vështrim mbi problematikën”

Prof. dr. Neritan Ceka moderoi veprimtarinë, ku ishin të pranishëm Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, zv.kryetar akad. Vasil Tole, sekretar shkencor akad. Shaban Sinani, si dhe akademikë, studiues të njohur e studentë të fakultetit të historisë.

Prof. dr. Ceka para se t’i jepte fjalën Xhufit tha se dilemat e Arbërit dhe çështjet që ngrihen mbi këtë popullsi krijohen aty ku ishte dhe epiqendra e popullsisë ilire, pikërisht në territorin e arbërve.

Fillimisht Pëllumb Xhufi prezantoi librin e ri të akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe”, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ai e përgëzoi autorin dhe e cilësoi si një arritje për të dhe arritje të madhe për ASH.

Xhufi foli për periudhën e errët të mesjetës, që cilësohet periudha e parë e saj, mesjeta e hershme. U quajt e tillë në shek. XIX, që kur nis studimi sistematik i historisë europiane, tha Xhufi. Ai theksoi se për sa i përket historisë së Shqipërisë për të zhdukur terrin e periudhës nga shekulli IV deri në shekullin e XI duhet t’iu bëjmë homazh profesorëve shqiptarë dhe veçanërisht Aleks Budës që krijoi shkollën historiografike shqiptare. Historia ishte shkruar edhe më parë, por në kushte të mungesës së institucioneve, tha Xhufi dhe shtoi se sot që Shqipëria është hapur ngelet një sfidë e madhe zbulimi i dokumentacioneve për mesjetën.

“Arkiva e Venedikut është një minierë e pafundme, ku ka rreth 2500 dosje me materiale për Shqipërinë. Kam përpunuar vetëm 110 dosje për gjashtë muaj atje, por në afër 2400 dosjet që kanë ngelur duhet një punë e organizuar dhe duhet të krijohen kuadro të rinj për këto kërkime. Në universitetet italiane ka qindra studentë shqiptarë, por nuk ka studentë që studiojnë letrat klasike, greqishten e vjetër, latinishten, etj., që janë të domosdoshme për studimet albanologjike”, tha Xhufi.

Ai paraqiti një varg problemesh që pengojnë në ndriçimin e historisë së mesjetës së hershme. Mes tyre, metoda e studimit, pasi ka një material të ngjeshur dokumentesh të botuara në gjuhën latine dhe italishten mesjetare, e më gjerë për të cilat duhet përdorur origjinali krahas përkthimit.

Në rastin e studimeve të historisë së fqinjëve, grekëve, serbëve, bullgarëve dhe rumunëve ka dokumete që janë përfshirë shqiptarët, por nuk iu duhet besuar dokumenteve që janë përdorur nga të tjerët, sepse ata i vlerësojnë çështjet në këndvështrimin e tyre dhe lënë mënjanë dokumente me të dhëna fantastike që duhen trajtuar. Ka probleme gjatë përkthimit në gjuhën e studimit, tha Xhufi dhe përmendi rastin kur në disa kërkime lihet jashtë vëmendjes prania e shqiptarëve, të cilët kur islamizoheshin quheshin turq, ndërkohë që nga dokumentet veneciane zbulohen mirëfilli rrënjët shqiptare të personazheve të njohur të historisë, apo toponimet e përkthyera nga gjuha shqipe.

Xhufi trajtoi edhe ndikimet e paragjykimeve në histori të krijuara nga mite apo autorë të ndryshëm, ku kalimi nga antikiteti në mesjetë paraqitet në mënyrë “apokaliptike”, shoqëruar me dyndje barbarësh, krime, vrasje dhe shpërngulje masive.

Përkundër rrëfimeve mitike, Xhufi u shpreh se edhe pse thuhet që zona e Peleponezit ka pasur ngulime masive sllave, Peleponezi mbeti megjithatë i pasllavizuar. Shqiptarët përbënin pjesën më të madhe të popullsisë dhe atje ka qenë vatra e rezistencës ndaj Turqisë.

Për sa i përket çështjes së sllavizimit të shqiptarëve, Xhufi iu referohet edhe vetë bizantinistëve dhe autorëve të kohës që pohojnë një relativizim të kolonizimit sllav, ku përkatësisht zona e Shqipërisë së sotme e temës së Durrësit, Nikopojës, Diaklesë dhe Dardanisë, nuk janë prekur nga sllavizimi. Janë prekur nga inkursionet, por jo nga fenomeni i kolonizimit. Sot e kësaj dite në temën e Durrësit e në Dalmaci banojnë “shtetasit romej”, siç i quanin bizantët.

Ndërkohë kemi toponime në gjuhën sllave dhe ndoshta në fushën e toponimisë nuk është punuar fort nga gjuhësia shqiptare, tha akad. Xhufi.

Historianë bizantinë dhe historianë modernë kanë vënë në dukje që në Shqipëri pushtuesit e ndryshëm merrnin nga pushtuesit paraardhës regjistrat kadastralë dhe i përdornin emrat siç i gjenin, dhe pas pushtimit bullgar në shekullin X, shumë vende kanë ndërruar emrin si veprim i shtetit bullgar dhe i kishës bullgare, që ka pasur induksion deri në bregdetin shqiptar.

ka shpjeguar origjinën shqipe të disa toponimeve të përkthyera deri në Kotor, Mal të Zi e më tej.

Një tjetër problematikë e mesjetës është se çfarë hapësire, çfarë habitati kishin shqiptarët, ku ka ndërhyrje të fuqishme nga historiografia e huaj, që kanë zgjedhur një territor të kufizuar për mesjetën shqiptare. Nuk janë marrë me territoret më në veri e më në jug dhe kanë krijuar një premisë negative, të cilën e çoi përpara Myler, që ngriti në nivel shkencor teorinë se pas dyndjes sllave popullsia e vjetër iliro-arbërore u rrudh në majat e maleve dhe u ruajt aty, e prej aty në kalim të mesjetës së vonë në shekullin XIV shqiptarët e rritur në zonat malore, kryesisht të Matit shpërthyen në të katër anët e vendit. Ai tha se çfarë fuqie e tmerrshme fshihet edhe tek genet e një populli të vogël, që arriti deri në Peleponez dhe arriti deri në Zarë; që është paragjykim, të cilin e kritikoi edhe prof. Aleks Buda dhe që nga ajo kohë teoria e tij për studiuesit shqiptarë nuk bënë më pjesë në historinë shkencore të Shqipërisë, por kjo u përthith nga historianët e vendeve fqinje, që shqiptarët janë të tkurrur dhe janë përhapur në territoret më në veri e jug të tyre.

Dokumentet tregojnë të kundërtën se dëshmia e parë në gjuhën shqipe vjen nga ekstremi tjetër më në veri të Raguzës, një zonë malore që shkonte në Kosovë, arrinte në Prizren dhe dilte në Ohër. Dokumentet tregojnë prezencën masive të shqiptarëve në këto treva.

Akademik Xhufi tha se përgjatë kolonizimeve si vend kufitar shqiptarët kanë pasur status në veçantë që del e qartë në dokumente. Burimet bizantine pohojnë se ekzistonte një marrëdhënie e rregulluar me marrëveshje të veçanta, ku arbërit gëzonin njohjen e një autonomie politiko-administrative të tyre nga Perandoria Bizantine. Shqiptarët nuk quheshin bizantinë, por quheshin aleatë.

Më tej Xhufi foli për disa stereotipe paragjykuese të historisë, duke kujtuar librin e fundit të Oliver Schmitt për historinë e Skënderbeut, që e trajton si histori kanuni- që Skënderbeu e bëri kryengritjen kundër Sulltanit se i kishte vrarë babanë. Ai vepronte në përputhje me të drejta zakonore të shqiptarëve.

Oliver Schmitt është bazuar tek Edward Gibbon, historian i njohur i perandorisë britanike, që gjykon se Skënderbeu duhet të kishte zgjedhur mes pasojave të nënshtrimit dhe atyre të qëndresës dhe të hiqte dorë nga një luftë e pabarabartë, pasi e rrënoi popullin e tij. Është një interpretim që nuk qëndron, tha Xhufi.

Në fund ai tha se Shqipëria e mesjetës ka qenë një vend i lulëzuar me qytete dhe qytet-shtete të pavarura, siç shkruan Milan Shuflaj, që e ndriçoi historinë e shqiptarëve në trevat e Ilirisë së dikurshme. Shuflaj i bëri shqiptarët dhe historinë e tyre objektin parësor të hulumtimeve të tij, i bindur për vendin e rolin e tyre si faktor kryesues në proceset historike të krejt rajonit ballkanik e të pellgut Adriatik. Për herë të parë ai i ktheu historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve qytetin, si Shkodra, Tivari, Ulqini, Prizreni, Durrësi, Vlora, Drishti, Shasi, Berati, Janina, Kanina, Shkupi, e Kruja, por edhe në formën më të lartë të organizimit e civilizimit, statutet me të cilat qytetet shqiptare renditen në mesjetë në radhën e qyteteve më të përparuara europiane, tha Xhufi.