Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza ndaj opozitës dhe tha këtë të martë se gjatë drejtimit të saj universitetet u kthyen në një biznes. Ai u shpreh se universitetet në kohën e drejtmit të PD u organizuan për të kryer rrjepjen e dytë më të madhe shtetërore të familjeve shqiptare pas asaj të firmave piramidale. Po ashtu kreu i qeverisë tha se shkollat e rindërtuara pas tërmetit kanë të njejtat kushte si shkollat e vendeve të Bashkimit Europian.

“E gjithë infrastruktura shkollore është në një transformim të vazhdueshëm. Deri sot ne kemi investuar 130 milionë dollarë për 263 shkolla të reja ku mësojnë 114 mijë nxënës. Këtë vit vazhdon papushim me 3 turne, në të shumtën e herës rindërtimi i 120 shkollave të reja për 40 nxënës të tjerë. Të gjithë i kanë para shkollat e rilindura pas atij tërmeti të 15 muajve të parë. Shkolla fantastike, pa asnjë dallim nga shkollat më të mira, jo nga çdo shkollë por nga më të mirat e Be-së me arkitekturë të standardeve të larta. Shkolla me kushte optimale, shkolla, qendra të mirëfillta komunitare. Por thënë gjitha këto jam unë i pari që shtoj, nuk mjaftojnë. Vizioni 2030 për shollën shqiptare shkon shumë më tej se kjo dhe ambicia jonë është shumë më e madhe se kaq, sesa infrastrukturë e standardeve europiane.

Nuk mjaftojnë pagat e mësuesve që ua kemi rritur 32% përqind dhe prandaj në mandatin tonë të tretë do t’ua rrisim 40%. Nuk mjaftojnë as ato që kemi bërë në arsimin e lartë për universitetet. Por universitetet kur këta, ja dolën, e nxorrën kokën sapo dëgjuan fjalën universitet, vijnë nga universiteti këta, këta që duan të rikthehen në drejtimin e arsimit janë ata që morën në qafë breza të tërë studentësh me kristale, vitrinat, ufot, llamarinat, magazinat e shitblerjes së diplomave, duke organizuar rrjepjen e dytë më të madhe shtetërore të familjeve shqiptare pas asaj të firmave piramidale në këmbim të gënjeshtrës së dytë më të madhe të arsimimit të lartë për të gjithë pas asaj të pasurimit merr 1 e jep 2. Duke nxjerrë rrugëve të Shqipërisë numrin më të lartë të juristëve për kilometër katrorë në kontinentin tonë. U kthye hyrja në universitet në një biznes”, tha Rama.