“Të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor! Kosova të përfshihet në partneritetin për paqe”

Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë zhvilluar një konferencë për shtyp pasi zhvilluan një takim këtë të mërkurë.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama tha se është krenar që Shqipëria ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë. Sa i përket bazës detare në Durrës, kreu i qeverisë vlerësoi Stoltenberg për disponibilitetin për të dëgjuar këtë ambicie, që sipas kryeministrit, do të jetë një vlerë e shtuar për aleancën.

Po ashtu ai u shpreh se është e rëndësishme që të vazhdohet bashkëbisedimi në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, dialogu duhet të vazhdojë edhe me Serbinë pavarësisht se nuk është pjesë e NATO-s. Sa i përket Kosovës, Rama theksoi se është e nevojshme që ajo të përfshihet në partneritetin për paqe.

“Jam krenar që parlamenti shqiptar u bë një prej parlamenteve, të para të vendeve aleate për të ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë vetëm pak ditë pas nënshkrimit të tyre. Ne qëndrojmë me forcë në solidaritet të plotë me Ukrainën. Sigurisht që është e padiskutueshme mbështetja jonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Është e rëndësishme të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë përkundrejt situatës dhe po kështu edhe detyrimet që kemi në Ballkanin Perëndimor që pikërisht të parandalojmë çdo përshkallëzim e të parandalojmë që çdo ndikim i keq të kthehet në probleme për rajonin tonë. Në kapacitetin tonë si vend aleat dhe kandidat për në BE do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë tradicional në mbështetje të paqes rajonale, pajtimit dhe sigurisht stabilitetit. Ndërkohë që koncepti i ri strategjik që kemi miratuar thekson rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor, për NATO-n është e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Serbinë e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por është ende pjesë e rajonit tonë. Nga ana tjetër pata edhe njëherë shansin t’ju them atë që kam përmendur edhe një herë në samit, nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është organizëm konsensual. Me kohët në të cilat jetojmë, në këndvështrimin tim modest është vërtetë e mençur që kjo të rikonsiderohet. Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, e vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën për t’ju prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë duke vënë në dispozicion një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund të ndërtojmë duke pasur parasysh sfidat e kohës sonë që nga ndryshimi i klimës, nga mbrojtja e mjedisit dhe për gjithçka tjetër”, tha Rama.

Takimi me Stoltenberg u kërkua nga kryeministri shqiptar, për të diskutuar mbi një bashkëfinancim të mundshëm të një aneksi ushtarak brenda portit të ri tregtar, në Porto Romano.

Projekti i qeverisë shqiptare parashikon që rreth 50 ha në këtë zonë t’i lihet kësaj baze ushtarake, ku është menduar dhe për ndërtimin e një kalate me sipërfaqe 800 m linear dhe thellësi 13 metra, ku të mundësohet ankorimi dhe i luftanijeve të mëdha të forcave të NATO-s.

Stoltenberg vlerëson Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të Suedisë dhe Finlandës

Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Edi Rama në Bruksel, kreu i NATO-s Jens Stoltenberg përgëzoi vendin tonë për ratifikimin e protokolleve të Suedisë dhe Finlandën për anëtarësimin në aleancë.

“Morëm vendime me efekte mjaft thelbësore për të transformuar e forcuar aleancën dhe këtu përfshihet një ndryshim thelbësor në qëndrimin tonë të parandalimit dhe të mbrojtjes, një mbështetje me të madhe për Ukrainën, si dhe një koncept të ri strategjik. Ne po kështu ramë dakord që të ftojmë Finlandën dhe Suedinë që të anëtarësohen në NATO dhe përgëzoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit për të dyja vendet kaq shpejt. Faleminderit shumë. Kjo dëshmon se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se vazhdojmë që të përkrahim të drejtën e çdo vendi të zgjedhë rrugëtimin e vet. Mirëpritja e Finlandës dhe Suedisë në Aleancë do t’i bëjnë ato më të sigurta, NATO-n më të fortë dhe botën më të sigurt. Kjo është jetike ndërkohë që përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në dekada. NATO qëndron me Ukrainën ndërkohë që mbron veten e saj ndaj luftës mizore të Rusisë. Ne po ofrojmë nivele të pashembullta mbështetjeje dhe kjo do të vazhdojë edhe në afat të gjatë”.

Stoltenberg vlerësoi po ashtu mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën. Ai u ndal edhe tek vizita e Kryeministrit Edi Rama në Ukrainë, vizitë të cilën e cilësoi dëshmi të rëndësishme të solidaritetit.

“Unë mirëpres mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, si dhe angazhimin tuaj të fundit për ndihmë humanitare, gjithashtu edhe vizita juaj e fundit në Ukrainë ishte një dëshmi e rëndësishme solidariteti. Kështu që Kryeministër Rama, faleminderit edhe njëherë për kontributin e Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët, pres me padurim të vazhdoj të punoj me ju. Kështu që edhe njëherë mirëserdhët”.