Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë një intervistë për “CNN” në lidhje me pritjen e afganëve nga vendi jonë. Ai u shpreh se Shqipëria do të marrë 4 mijë afganë. “Do jenë rreth 4000 mijë që do të marrim” tha Rama.

Shqipëria ka bërë gati kapacitetet për të pritur grupin e afganëve që i frikësohen ardhjes në pushtet të talebanëve. Refugjatët do të qëndrojnë në Shqipëri për një vit ndërsa më pas do të largohen drejt SHBA-së, si destinacion final.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë “Rama 2”, këshilli i ministrave vendosi që dhënia e mbrojtjes së përkohshme për afganët që do të strehohen në Shqipëri për shkak të luftës të zgjasë 1 vit.

Kështu do të krijohet një task forcë e cila do të shërbejë si strukturë e posaçme për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare.

Kjo task forcë do të kryesohet nga ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe do të ketë në përbëje edhe 6 ministra të tjerë, konkretisht atë të Brendshëm, Mbrojtjes, Ekonomisë, Arsimit, Shëndetësisë dhe Turizmit.

Kjo taks-forcë do të ketë për detyrë negocimin me partnerët ndërkombëtarë për çështjet që lidhen me strehimin e afganëve në Shqipëri si dhe do të hartojë një plan veprimi duke koordinuar situatën e pritjes dhe akomodimit të afganëve në vendin tonë.