Takimet jozyrtare të kryeministrit Edi Rama, fillimisht me ministrin e Jashtëm Nikos Dendias dhe dreka në shtëpinë e homologut grek Kyriakos Mitsotakis janë mbyllur.

Në përfundim të takimit kokë më kokë me kreun e qeverisë shqiptare, shefi i diplomacisë greke, bëri me dije në rrjetet sociale se me Edi Ramën bisedoi për tre çështje: “marrëdhëniet mes dy vendeve, e ardhmja Evropiane e Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit”.

Në njoftimin e Nikos Dendias nuk specifikohet nëse në bisedën për zhvillimet në rajon, krye-temë ishin diferencat ose jo që ndajnë dy vendet për përcaktimin e kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë para shqyrtimit nga gjykata ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë.

As në njoftimin e bërë nga vetë kreu i qeverisë, kjo si çështje nuk renditet në arsyet që çuan Edi Ramën në vizitën informale në Greqi, pas takimit zyrtar me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Në harkun e katër muajve, jo zyrtarisht Edi Rama takohet dy herë me Kyriakos Mitsotakis.

Nëse në të parin, dy drejtuesit u dakordësuan që kufiri detar mes dy vendeve të gjykohet nga drejtësia ndërkombëtare, në të dytin, Kyriakos Mitsotakis e pret homologun e tij pas dekretit presidencial për t’u shtrirë me 12 milje në detin Jon.

Për këtë vendim të shtetit fqinj Edi Rama ka deklaruar se Greqia është në të drejtën e saj bazuar në Konventën e të Drejtës së Detit ashtu siç edhe Shqipëria veproi me Italinë në 1990.

Edhe për mediat greke, qëllimi i vizitës është shprehja e diferencave që kanë dy vendet për kufirin detar, përcaktimin e zonës ekonomike ekskluzive detare dhe të ujërave territorialë.

Qëndrimi një ditor i Edi Ramës në Athinë vjen pas asaj dyditore në Turqi, ku nënshkroi me presidentin Taip Rexhep Erdogan deklaratën që i vendos të dyja vendet në marrëdhënie strategjike po aq sa ato me Greqinë, nënvizon kreu i qeverisë në njoftimin në rrjetet sociale.