Kryeministri Edi Rama u ka dal në krah bluzave të bardha që po përballen me Covid-19. Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se është krenar për bluzat e bardha “që në ditët më të mundimshme të vendit, dëshmojnë me forcën e shembullit të tyre”.

Më tej kreu i qeverisë shton se jo të gjithë janë njësoj, ndaj sipas tij “një dorë abuzuesish e batakçinjsh mes bluzave të bardha, nuk e zhbëjnë dot moralin njerëzor e dinjitetin profesional të shumicës dërrmuese të tyre”.

Në mediat sociale Kryeministri ka publikuar dhe foton e infermieres Xhorxhina Metushi, e cila është shtatzënë por pavarësisht të gjithave është në frontin e parë të luftës me virusin.

“Prej ditës së parë të përballjes me Armikun e Padukshëm, infermierja e palodhur e Spitalit Covid 1, vijon të qëndrojë në vijën e parë të zjarrit, teksa pret të sjellë në jetë fëmijën e saj, duke marrë në sy rrezikun për të shpëtuar njerëz në rrezik për jetën”, përfundon Rama.