Kryeministri Edi Rama nuk ka vonuar të kundër reagojë ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, e cila i kërkonte të moderonte gjuhën, pas komenteve të bëra një ditë më parë në Bruksel, ku veto e Bullgarisë bëri të pamundur nisjen e negociatave për anëtarësim për të disatën herë.

“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për të marrë peng dy vende të NATO-s. Qetësohuni miq: Hiqni veton, ose më duroni!”, shkroi Rama në Twitter.

“Dhe meqë ra fjala, më lini t’iu kujtoj miq të vyer bullgar se u desh një telefonatë e shkurtër me Boyko Borissov për të zgjidhur në mënyrë miqësore dhe të ndershme çështjen e pakicës bullgare në Shqipëri. Miqtë e vërtetë nuk i bëjnë dëm njëri-tjetrit, por flasin sinqerisht dhe gjejnë fjalën e përbashkët”.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë i kërkoi kryeministrit Rama përmes një deklarata zyrtare që të moderonte gjuhën me të cilën kishte komentuar gjithçka ndodhi një ditë më parë në Bruksel.

“Bullgaria gjithmonë ka qenë mes shteteve anëtare të Bashkimit Europian që ka mbështetur integrimin e popullit shqiptar. Kemi mbrojtur perspektivën europiane të Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sa sot. Përgjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë krah nesh. Edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i qëndrojmë kësaj ideje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët europiane”, thuhet në një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

“Nuk është hera e parë që kemi dëgjuar ofendime të pamerituara nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet. Presim që Kryeministri i Shqipërisë të moderojë gjuhën, duke e bërë të përshtatshme për politikanin e një vendi kandidat për në Bashkimin Europian.

Në këtë pikë, këmbëngulim që të ruajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët shkojnë e vijnë, kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet të minohet nga gjykimet e gabuara. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy shteteve të mbeten peng e sjelljes së Kryeministrit të Shqipërisë”.