Rama: Protestuesit i kam trajtuar me respekt, por protesta për çmimet është turp kombëtar

Kryeministri Edi Rama i konsideron një turp protestat për rritjen e çmimeve që janë ndikuar nga lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në një bashkëbisedim me pensionistët për 7 pikat e paketës së rezistencës sociale, Kryeministri u shpreh se protestat janë e drejtë e cilitdo qytetar dhe si e tillë i respekton.

E në këtë pikë solli në vëmendje protestat për armët kimike, protestën e qytetarëve të Kukësit për traun te Rruga e Kombit, deri te protesta e studentëve.

Por theksoi se protesta për rritjen e çmimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, është një turp.

“Ajo protestë është një turp kombëtar dhe nuk është arrogancë ndaj protestuesve në vetvete. Besoj që faktet janë aty dhe kujtesta e secilit mund ta konfirmojë këtë që po them, nuk ka pasur Shqipëria qeveri më ë vëmendshme ndaj protestave sesa këto 8 vite e kusur. Në këtë vend ku haje dhe plumbin ballit po të dilje në protestë, në këto vite është protestuar sa është dashur. Ne i kemi dëgjuar protestat me respekt dhe institucionin e protestës e kemi vlerësuar si një institucion që është edhe një institucion demokratik që mund të sjellë vlerë të shtuar për qeverisjen.

Qysh në protestën e armëve kimike pastaj me protestën për atë tarifën e traut të Rrugës së Kombit për banorët e Kukësit, dhe me protestën e studentëve kur qeveria ka reaguar dhe madje në një rast si në Kukës unë kam dalë kam kërkuar dhe ndjesë, sepse ishim ne gabim nuk ishin banorët e Kukësit gabim. Për mua nuk ka rëndësi kush e gabim, për mua rëndësi ka të bëhet gjëja e drejtë. E konsideroj virtyt qeverisës, e konsideroj cilësi pozitive për një lider që të pranojë se kush proteston mund të ketë të drejtë dhe që të marrë atë të drejtë si një bazë për të ndryshuar politika. Kurrë nuk i kam trajtuar protestuesit përveç se me respekt.

Madje edhe protestat e opozitës asnjëherë nuk i kemi trajtuar me mungesë respekti. Por kjo është turp, është një turp i pashoq i të gjithë atyre që e nxisin që s’kanë turp sepse e kanë bërë divorcin me turpin dhe ju i njihni mirë kush janë tek ata që ju vënë fytyrën në dispozicion dhe keqardhje për ata që iu sjellin nga të katër anët e Shqipërisë. Por turp edhe për ata që e mbështesin këtë protestë sepse kjo protestë është një protestë që e shëmton Shqipërinë”, tha ndër të tjera Rama.

Rama: Protestat në Shqipëri mund t’i pëlqejnë Rusisë

Protestat që janë mbajtur përgjatë një jave në vendin tonë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve në tërësi për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, kryeministri Rama thotë se mund t’i pëlqejnë Moskës.

Kreu i qeverisë tha se një nga synimet e Rusisë është që në vendet evropiane të fillojnë protestat për shkak të çmimeve të larta.

“Këtu bëhet një protestë që mund t’i pëlqejë Rusisë sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë së asaj lufte që njerëzit në vendet që e mbështesin Ukrainën të fillojnë të ngrihen në protesta dhe të harrojnë se çfarë luhet atje. Atje nuk luhet fati i Ukrainës, atje luhet fati i Europës, atje luhet fati i të gjithë popujve të Europës. Është një agresion ushtarak ndaj një vendi demokratik që nuk ka bërë vaki qysh kur në skenën e Europës doli dikush tjetër në Berlin dhe sulmoi dynjanë.

E si mund të jemi ne kaq pa moral, kaq pa logjikë, që ndërkohë që qeveria e kësaj republike ka muaj që po financon nga buxheti i vetë faturën e energjisë dhe sapo shfaqen shenjat dhe unë dal atje dhe them brenda javës do kemi paketë mbështetëse, dalin dhe thonë nuk duhet ta lëmë këtë herë të na shpëtojë. Kjo është çështje e dinjitetit kombëtar. Këtu ka të bëjë me një kuturisje të turpshme që fyen kombin shqiptar dhe popullin shqiptar në dinjitetin e vetë sepse ne nuk jemi njerëz kaq të lidhur me zorrët ndërkohë që atje të tjerët po lënë jetën e po shkatërrohen totalisht”, deklaroi Rama.