Më e dhunshme, me më shumë diversitet dhe më konkurruese. Këto janë 3 karakteristikat kryesore të trafikut të kokainës në Evropë, sipas raportit më të ri të publikuar nga Europoli.

Raporti nënvizon rëndësinë e hetimeve mbi pastrimin e parave, për të ndjekur përfitimet e paligjshme dhe për të konfiskuar asetet e lidhura me aktivitetin kriminal. Këto hetime financiare duhet të jenë baza e luftës kundër trafikut të kokainës.

Europol thotë se bandat kriminale përdorin qytetet porte të Roterdamit, Hamburgut dhe veçanërisht Antverpin për të transportuar drogën në Holandë, nga ku shpërndahet pastaj në të gjithë Evropën.

Raporti nënvizon se bandat evropiane të drogës shpesh operojnë përgjatë vijave familjare, etnike ose gjuhësore, “duke përfshirë bandat marokene dhe shqiptare”, si dhe “grupin mafioz Ndrangheta të Italisë”.

Raporti i ri i “Cocaine Insights” ka dhënë detaje mbi rolin e trafikantëve që në raport quhen “shqipfolës” në trafikun e kokainës, duke futur  në një klasifikim të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, apo Maqedoninë e Veriut.

Raporti thekson se grupet shqiptare të kokainës veprojnë kryesisht në mënyrë autonome nga grupet e  tjera të Ballkanit (edhe pse në disa raste bashkëpunojnë.)

Raporti vijon më tej, duke theksuar se grupet shqipfolëse mund të menaxhojnë rrjetet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë Evropën dhe të formojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine.

Duke qenë se janë në pozita dominuese, duket se Shqipëria mban vendin e parë të personave të arrestuar në vendet evropiane në lidhje me rastet e konfiskimit të kokainës, për vitet 2018-2020.

Sipas raportit, në vend të dytë renditet Brazili dhe në vend të tretë Kolumbia.