Rreth 2 mijë mjekë dhe dentistë janë pezulluar nga detyra në Itali pasi kanë refuzuar të vaksinohen kundër koronavirusit.

Asociacioni Kombëtar i Mjekëve dhe Dentistëve, tha në një njoftim se ata kanë dështuar të paraqesin dëshminë e vaksinimit. Sipas të dhënave, mbi 33 mijë e 500 mjekë nuk janë te vaksinuar plotësisht në Itali, dhe po ashtu gjatë nëntorit pati rreth 1700 të pezulluar nga puna.

Përveç mjekëve, autoritetet kanë njoftuar edhe pezullimin e rreth 6 mijë infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësor për shkak të mosvaksinimit.

Një pjesë e tyre aktualisht janë të infektuar apo i janë nënshtruar masës së karantinës. Në shtatë ditët e fundit në Itali janë regjistruar 2,011 raste të infektimit për100,000 banorë. Rritja e shpejtë e rasteve të infektimit prej fillimit të vitit, ka shtyrë autoritetet që të ashpërsojnë kufizimet për luftim të pandemisë.

Nga e enjtja, banorët e Italisë duhet të prezantojnë një test negativ për koronavirus nëse vizitojnë sallonet e bukurisë. Më herët gjatë këtij muaji, Italia implementoi një masë për vaksinim të detyrueshëm të personave mbi moshën 50-vjeçare.