Verilindja e vendit është përfshirë nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës që prej natës së kaluar.

Në Peshkopi bora ka shtruar deri në 15 cm lartësi. I gjithë qarku i Dibrës është përfshirë nga reshjet e dëborës.

Rruga Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë.

Në zonat e thella ka arritur deri në 20 cm. Peshkopi- Draj Reç – Kukës kalimi i vështirë deri në Zall Reç më tej drejt Ujmishtit e bllokuar.

Zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës fshatrat e Sllovës, Reçit, Luznisë janë pa komunikim me qytetin.

Në rrethin e Bulqizës reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët, dhe trashësia në qytetin e Bulqizës shkon në 5 cm. Nuk ka probleme në rrugët e qytetit.

Akset Qafa e Buallit – Krastë dhe Ura e Çerenec – Librazhd kanë kaluar mjetet borëpastruese dhe kalimi bëhet normal deri tani.

Raportohet për mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra, pasi janë këputur telat dhe janë shembur shtyllat.

Ka një situatë problematike në Lurë, e cila për momentin është izoluar. Po kështu qarkullimi është bllokuar në Trebisht dhe disa fshatra të njësisë së Ostrenit.

Nga bora është zbardhur edhe fshati turistik i Llogarasë në Vlorë.

Krahas reshjeve te shiut, rajoni i Lezhës është përfshirë dhe nga reshje dëbore, kryesisht në zonat e ulëta, ndërsa sipas informacioneve paraprake situata po mbahet nën monitorim.

Edhe në Pukë reshjet e dëborës, kanë “veshur” rrugët, por pa u bërë problematike për kalimin e automjeteve dhe qytetarëve.

Rruga e Kombit dhe rrugët nacionale funksionojnë pa probleme. Mësohet se ka probleme në disa segmente rrugore në zonat rurale që lidhin njësite administrative me fshatrat, kryesisht në Topojan, Grykecaje, Bushtricë, Arrën, Kalis, Shishtavec, Lekbibaj, Margegaj, Tropojë e Vjetër.

Mëngjesin e sotëm niveli i lumit Vjosa ka rënë në 6.10 m mbi nivelin e detit ,ndërkohë që mbrëmjen e djeshme niveli arrti në kuotat 6.70, ndërsa pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 m mbi nivelin e detit.

Prurjet e Vjosës mbrëmjen e djeshme kanë sjellë dhe përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit, por pa problem për banorët e njësisë administrative Novoselë.

Ndërkohë pritet që reshjet e shiut do të vijojnë në Përmet zona ku Vjosa buron atëherë duhet bërë kujdes.