UEFA ka bërë zyrtare vendimin për të hequr vlerën e dyfishtë të golin në transfertë në ndeshjet me eliminim direkt në të gjitha kompeticionet për klube.

Ky është një ndryshim i madh në futboll duke qenë se ky rregull shpesh ishte bërë vendimtar në kualifikimin e ekipeve në kompeticione të ndryshme. Ai do të hyjë në fuqi që prej sezonit të ri.

Deri tani, në rast se në dy ndeshje vajtje-ardhje skuadrat shënonin numër të barabartë golash, atëherë ekipi i kualifikuar ishte ai që kishte shënuar më shumë gola në transfertë.

Tashmë kjo ndryshon dhe nëse dy ekipet shënojnë të njëjtin numër golash, atëherë do të zhvillohet shtesa prej 30 minutash dhe më pas penalltitë.

Ndryshimi i rëndësishëm nga UEFA do të jetë në fuqi për Champions League, Europa League dhe Conference Leuage.

Rregulli i golit jashtë fushe ishte në fuqi që prej 1965-ës dhe ishte kritikuar nga shumë njerëz të futbollit, përfshi edhe kreun e UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili nuk e fshehu kënaqësinë e arritjes së shfuqizimit të këtij neni të rregullores.

“Shumë trajnerë, tifozë dhe njerëz të futbollit kanë vënë në dyshim barazinë e këtij rregulli dhe kanë kërkuar shfuqizimin e tij. Ndikimi i rregullit shkon kundër qëllimit të tij fillestar, pasi i step ekipet vendase, që priren më shumë të mos pësojnë për shkak të peshës së golit. Kritika tjetër ishte se nëse ekipi udhëtues shënonte një gol në kohën shtesë, atëherë atij vendas i duheshin dy gola dhe edhe në këtë rast shkelej barazia. Tani ky rregull është shfuqizuar dhe nuk do të aplikohet në asnjë kompeticion të UEFA-s për klube, duke nisur nga sezoni 2021-2022”, u shpreh Ceferin.