Thuhet se dashuria e parë nuk harrohet kurrë dhe përvoja tregon se kujtimet e momenteve më të bukura rikthehen fuqishëm kur e tashmja nuk na lumturon më. Ky duhet të jetë motivi që e kuqja e United ka nisur të kthehet në mendjen e Cristiano Ronaldos.

Mënyra e sjelljes së portugezi në dy golat që i dhanë fitoren Juventusit ndaj Parmës ishte një sinjal i qartë se CR7 nuk ndihet më i lumtur te bardhezinjtë dhe kërkon të ndryshojë ambient. Ronaldo nuk festoi duke qëndruar statik në golin e dytë të Alex Sandros dhe finalizimin e De Ligt si për të treguar se ka ardhur koha të hapë një faqe të re. Gazzetta Dello Sport raporton se Ronaldo i ka kërkuar agjentit të tij Jorge Mendes të nisë kontaktet për t’i gjetur një sistemim të ri. Dëshira e yllit portugez është të rikthehet te Manchester United për të luajtur edhe për dy apo tre sezone në nivelet më të larta të futbollit anglez.

Mendes ka nisur të studiojë menjëherë terrenin nëse United i ka mundësitë financiare për të rikthyer në gjirin e saj Cristiano Ronaldon një ndër futbollistët më të mirë që ka patur ndonjëherë në historinë e saj. Edhe drejtuesit e klubit bardhezi nuk kanë ndërmend ta ndalojnë pasi duan të privohen nga paga e lartë e portugezit prej 30 milionë eurosh në sezon. Për ta lënë të lirë Juventusi synon të arkëtojë afërsisht 30 milionë euro nga shitja e 36-vjeçarit luzitan. Tashmë mbetet për t’u parë nëse e ardhmja e Ronaldos do të jetë në Old Trafford apo do të qëndrojë sërish në Torino.