Kreu i Kadastrës së Beratit Ervin Nelaj është arrestuar me kërkesë të SPAK, pasi akuzohet për korrupsion.

Arrestimi i tij ka ardhur pas finalizimit të operacionit “Aluizni”, Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK, pas një hetimi 9-mujor.

Nelaj dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Aluizni”, për goditjen e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK-u.

Pas një hetimi 9-mujor u finalizua operacioni policor i koduar “Aluizni”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin E. N., 38 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Drejtorinë Rajonale Berat.

Ky shtetas dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.