Zhaklina Peto e cila fitoi për të dytën herë të drejtën për të vijuar garën për në Gjykatën Kushtetuese nga Apeli Administrativ, është përjashtuar nga KED si kandidaturë me argumentin se ajo është tërhequr.

KED e kishte përjashtuar më herët, pasi sipas këtij Këshilli, ajo kishte mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë proces, Zhaklina Peto paditi në SPAK nënkryetaren ende në detyre të KED, Vitore Tusha dhe relatoren që e verifikoi Miranda Andoni.

Por KED e futi sërish në shqyrtim emrin e saj të mërkurën pas vendimit të Apelit Administrativ për ta rikthyer në garë, por në njoftimin për shtyp të këtij Këshilli ka një vendim të diskutueshëm.

Sipas KED, ndaj Zhaklina Petos ka përfunduar procedura e verifikimit, vlerësimit pasi ajo ka dhënë dorëheqjen nga gara

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në unanimitet vendosi:

Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i plotë dhe i zbardhur, do të publikohet i arsyetuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në njoftimin e KED

Për vendimin në fjalë reagoi edhe kandidatja Zhaklina Peto.

“Jam e befasuar. Unë i paralajmërova se do ta konsideroja dorëheqjen në rast se do vazhdonin me këtë paligjshmëri duke shkelur nenin 6 të Konventës të të Drejtave të Njeriut. Por siç duket vetë KED paska qenë në paligjshmëri dhe ka bërë këtë veprim”, tha ajo për TCH.

Zhaklina Peto ishte në garë me Sonila Bejtjan për anëtarin e shtatë të Kushtetueses.

Ndërkohë, paralelisht me zhvillimet per Peton, mbasditen e kësaj të mërkure, Presidenti Ilir Meta zgjodhi emrin e Përparim Kalos si anëtar të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, duke bërë që kjo gjykatë t’i rikthehet funksionimit