Ish-kryeministri Sali Berisha prej datës 30 dhjetor 2023 ndodhet në “arrest shtëpie”, por herë pas herë ka kontaktuar nga ballkoni i banesës së tij me mbështetësit demokratë.

Sot në orët e paradites në shtëpinë e tij kanë shkuar oficerët e policisë për të kontrolluar për zbatimin e masës së sigurisë nga ana e ish-kryeministrit.

Kujtojmë që më 3 janar, avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi, kanë ankimuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Më 30 dhjetor, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë dhe ndalimit të komunikimit për ish-kryeministrin dhe liderin e opozitës, Sali Berisha.

Avokati i Berishës e cilësoi ndalimin e komunikimit si privim të lirisë për një deputet dhe paralajmëroi apelimin e masë.

Sipas procedurave, mbikëqyrja policore parashikon shërbime të rregullta pranë banesës së Berishës për të ndjekur respektimin e kësaj mase nga ana e tij.

Lideri i opozitës foli ditën e mërkurë për herë të parë para mbështetësve të tij, 4 ditë pasi gjykata vendosi ta izolojë në shtëpi. Nga dritarja e shtëpisë së tij, ish-kryeministri Berisha u përcolli demokratëve mesazhin se asnjë vendim gjykate nuk mund ta ndalojë atë të komunikojë me ta. Berisha shpjegoi se gjatë këtyre ditëve nuk ka mundur të flasë me demokratët për shkak se ka qenë i sëmurë me grip.

“Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do ta bëj më ndonjëherë”, – tha Berisha.