“Kemi treguar më shumë se një herë se nuk jemi një skuadër që vetëm mbrohet, por edhe që shënon, madje edhe ndaj skuadrave të mëdha si Franca, së cilës i shënuam tre gola. Jemi besnikë të lojës sonë, pastaj çdo gjë mund të ndodhë ndaj një skuadre të nivelit të lartë. Kjo është ajo që e pamë qartë ndaj Francës”.

Xherdan Shaqiri, regjisori i Zvicrës, e ka komentuar kështu sfidën e 2 korrikut ndaj Spanjës, që luhet në Shën Pietërburg. Ai ka besim të plotë në potencialin sulmues të skuadrës zvicerane dhe në një kualifikim të mundshëm për në gjysmëfinale. “Jam krenar për ndeshjen që bëra ndaj Francës dhe do të përpiqem të bëj maksimumin edhe ndaj Spanjës. Nëse nuk shënoj, apo nëse nuk jap një asist, nuk do të thotë se kam bërë një ndeshje të keqe”, – ka shtuar më tej lojtari i Liverpulit.

Xherdan Shaqiri feston një nga golat ndaj Turqisë. 1 korrik 2021

Shaqiri do të jetë shqiptari i vetëm në fushë për Zvicrën ndaj Spanjës. Kapiteni Granit Xhaka mungon për shkak kartonësh, një minus i madh ky për trajnerin Vladimir Petkoviç. Gjithsesi, Zvicra do të përpiqet të tregojë se kualifikimi ndaj Francës nuk ishte reastësi.