E angazhuar në luftën kundër Covid 19 brenda kufijve, Amerika, një prej vendeve më të goditura prej sëmundjes, po përpiqet të ndihmojë financiarisht edhe shtete të tjera të përballura me të njëjtin rrezik të madh.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, në mes të marsit, qeveria e SHBA-së i ka mbështetur sistemet e shëndetit publik në 120 vende të botës me më shumë se 1.5 miliardë dollarë, gati 10 milionë nga të cilat janë shpërndarë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se administrata amerikane ka ndarë gjithsej 20.5 miliardë dollarë në kuadër të luftës globale kundër pandemisë, përfshirë zhvillimin e vaksinave dhe metodave të trajtimit dhe parandalimit të sëmundjes, si dhe ndihmën për vendet e huaja.Kjo u tha se e ka forcuar pozitën udhëheqëse globale të SHBA-së në përgjigjen ndaj COVID-19 dhe se, në të njëjtën kohë, ka prodhuar “rezultate reale në formën e ndihmës për popujt në të gjithë botën”.

Në listën e vendeve ku SHBA-ja ka dërguar ndihma, shkruan se Kosovës i janë ndarë afro 1.6 milion dollarë për ta ndihmuar në përgatitjen e sistemeve laboratorike, për të mbështetur ekspertët teknikë në përgjigje dhe gatishmëri e të tjera. Ndërsa Shqipëria ka marrë më shumë se 2 milionë dollarë nga autoritetet amerikane për të luftuar epideminë. Bosnja dhe Hercegovina ks përfituar 2.2 milionë dollarë, Serbia mbi 2 milionë, Maqedonia e Veriut 1.5 milion dhe Mali i Zi 300,000.