Drejtuesit e agjencive më të larta të inteligjencës amerikane kanë raportuar të martën para Kongresit Amerikan për luftën në Ukrainë.

“Presidenti rus Vladimir Putin ka të ngjarë të “dyfishojë forcat” në Ukrainë pasi ushtria e tij po mbetet në vend prej gati 2 javësh që kur nisi pushtimi. Sfida e tij më e madhe tani është të mbajë kontrollin e territorit të pushtuar dhe të instalojë një regjim të qëndrueshëm pro-Moskës në Kiev”, u thanë ligjvënësve të kongresit të martën drejtuesit e agjencive më të larta të inteligjencës amerikane.

Duke folur para Komisionit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën mbi kërcënimet në mbarë botën, drejtorja e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines tha se pushtimi rus deri tani ka “vijuar në përputhje me planin që ata kishin hartuar, vetëm se rusët po përballen dukshëm me më shumë rezistencë nga ukrainasit nga sa prisnin dhe duke hasur në mangësi serioze ushtarake.”

Mbetet ende “e paqartë” nëse Rusia do të ndjekë një “plan maksimalisht për të kapur të gjithë ose pjesën më të madhe të Ukrainës”, tha Haines. “Ka të ngjarë që të ketë një luftë të vazhdueshme për shkak të përpjekjeve të forcave ukrainase, të cilat kanë dëshmuar aftësitë e tyre gjatë ditëve të luftimeve me pushtuesit rusë”, shtoi ajo.

Haines tha se Putini “ndoshta parashikoi” shumë nga sanksionet financiare të vendosura nga vendet perëndimore në përgjigje të agresionit të Rusisë “kur ai vuri në peshë kostot e pushtimit”.

Sipas saj, Putin ndoshta nuk e parashikoi shkallën e masave të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të ndërmerrnin për të minuar luftën e Rusisë.

Duket se Putin e nënvlerësoi “tërheqjen nga Rusia të sektorit privat” tha Haines. Gjigantët evropianë të energjisë BP dhe Shell njoftuan të martën se nuk do të bënin asnjë blerje të re të naftës dhe gazit rus, ndërsa presidenti Biden po përgatitej të urdhëronte një ndalim të SHBA-së për importet ruse të energjisë.

Pavarësisht këtyre pengesave ekonomike dhe ushtarake, Haines tha se zyrtarët amerikanë besojnë se Putini “nuk ka gjasa të ndalet” dhe në vend të kësaj mund të përshkallëzojë luftën duke dyfishuar forcat për të arritur çarmatimin dhe neutralitetin e Ukrainës dhe për ta ndaluar atë nga integrimi i mëtejshëm në NATO nëse nuk e bën këtë me negociata diplomatike.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes tha të hënën se Putini kishte dërguar në Ukrainë “gati 100%” të forcave luftarake që kishte grumbulluar muajt e fundit.

Por zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë parë asnjë tregues se Putini do të shkojë përtej fuqisë së grumbulluar luftarake që ai tashmë ka hedhur në luftë. Zyrtari gjithashtu konfirmoi raportet se Rusia po rekruton luftëtarë sirianë për të ndihmuar operacionin e saj.

Haines tha se Putin “ndoshta mbetet ende i sigurt se Rusia mund ta mposhtë ushtarakisht Ukrainën” dhe se “dëshiron me forcë të parandalojë mbështetjen perëndimore dhe të nxitë një konflikt me NATO-n”. Urdhri i Putinit muajin e kaluar për të vendosur forcat e parandalimit bërthamor në gatishmëri të lartë është në përputhje me këtë vlerësim, sipas saj.

Angazhimi bërthamor i Putinit ishte jashtëzakonisht i pazakontë. Në nivel personal, Haines tha se zyrtarët amerikanë vlerësojnë se Putin “ndihet i mërzitur që Perëndimi nuk i jep atij respektin e duhur ndaj këmbëngul se kjo është një luftë që ai nuk mund të lejojë ta humbë”.

Ndërsa sipas kreut të CIA-s, Ëilliam Burns tani kemi të bëjmë me një president rus të izoluar dhe të indinjuar, i cili është “i vendosur të dominojë dhe kontrollojë Ukrainën për të formësuar orientimin e saj”.

Burns tha se Putin ka krijuar një sistem brenda Kremlinit “në të cilin rrethi i tij i këshilltarëve është gjithnjë e më i ngushtë”.

“Mendoj se Putini është i zemëruar dhe i frustruar tani. Ka të ngjarë që ai të dyfishojë forcat dhe të përpiqet të rrëzojë ushtrinë ukrainase pa marrë parasysh viktimat civile”, tha Burns.

Sipas Burns, Putin e nisi pushtimin e tij mbi bazën e “një sërë supozimesh”. Ai e konsideronte Ukrainën si “të dobët dhe mjaft të frikësuar”. Ai vlerësoi se evropianët janë “të trembur nga rreziqet dhe të hutuar nga zgjedhjet në Francë dhe ndryshimi i lidershipit në Gjermani”.

Ai besonte se kishte marrë masat kundër sanksioneve ndaj ekonomisë së tij duke krijuar një rezervë të madhe luftarake dhe valutore. Ai kishte besim se kishte “modernizuar ushtrinë” për të arritur “një fitore të shpejtë, vendimtare me kosto minimale”.

Në fund të fundit, “është vërtetuar se ai ka gabuar në çdo pikë”, tha kreu i CIA-s.