Nga Libani vjen një lajm “me energji elektrike”. Tani që bota po hyn në një krizë energjetike për shkak të çmimeve të rritura, Libani mund të shërbejë si model për të kuptuar sesi në shekullin e 21-të mund të zgjidhësh çështjen e mungesës së energjisë. Reuters raporton se dy stacionet kryesore të prodhimit të energjisë në vend ndërprenë punën për shkak të mungesës së karburantit për t’i vënë në punë.

Ndërprerja thuhet se do të vazhdojë deri të hënën, ndërkohë që ushtria libaneze ka rënë dakord që të japë 6000 kilolitra gasoil për dy stacionet në krizë. E gjithë kjo sasi mjafton vetëm për tri ditë. Në kushtet e një krize që e ka çuar shtetin në prag falimenti libanezët i janë drejtuar zgjidhjeve me gjenerator, diçka që ne shqiptarët e dimë më herët.

Problemi është i qartë: keqmenaxhim dhe korrupsioni. Pasi çdo qeveri normale nuk mund të kapet në befasi për një situatë e cila nuk precipiton rrufeshëm. Çështja e energjisë është strategjike për një shtet dhe një kalim drejt krizës është me përkufizim përgjegjësi menaxheriale. Në këtë kuptim, kriza që kryeministri i vendit tonë, z. Edi Rama i prezantoi shqiptarëve si pjesë e të ardhmes së tyre të afërt, është përgjegjësi e qeverisë së tij. Krejtësisht dhe vetëm kjo.

Në vitin 2015, z. Rama mori vendim për heqjen e fashës mbrojtëse në fatura me argumentimin se ishte bërë pjesë e skemës abuzuese. Z. Rama mbronte me forcë faktin se çmimi i energjisë u ul(1:27:34), kur të gjitha llogaritë thoshin se ai ishte rritur.

Dje z. Rama doli e deklaroi se çmimi i energjisë elekrike do të rritet, për shkak se çmimi i faturës nuk është reali. Por nën kosto dhe ka qenë një çmim i subvencionuar nga shteti. Mund të pyesim në cilat llogari z. Rama bëri uljen e pretenduar të çmimit të energjisë në vitin 2015, kur sot na thotë se çmimi është i subvencionuar? Dhe pse sot, pas investimit në qindra milionë eurosh për rrjetin, ne vijmë në situatën kur humbjet janë ato që kanë gjeneruar borxh të shtuar?

Këto janë pyetje të cilave z. Rama ndoshta nuk do t’u përgjigjet. Ai që ka deklaruar për çdo vit se është një shtetar dhe se po bën shtet dhe reforma, në të vërtetë u zbulua se ka vepruar si politikani i radhës, me populizëm dhe dredhi, pasi një reformë e vërtetë nuk mund të bëhet pa faturë dhe pa e bërë TË VËRTETËN pjesë të debatit publik. Në vitin 2015, kur qeveria mund të ndërhynte për rregulluar tregun dhe çmimin, zgjodhi të marketonte një reformë me çmim të ulur energjie, pa ndërmarrë në fakt asnjë sanksion për shkeljet dhe abuzimet nga aktorë të mëdhenj dhe nga institucionet publike, të cilave u amnistoi edhe borxhin 90 milionë euro. Dhe edhe sot e kësaj dite, në krye të agjencive që janë përgjegjëse direkte për këto që ndodh janë po ato Bletë Punëtore që kanë vite në ato poste për arsye që vetëm ekonomike dhe administrative nuk janë.

Dhe ja ku vijmë sot, buzë më buzë me modelin e Libanit që dështoi për të njëjtat arsye, por në rrethana të tjera.

s.zaimi