Teksa kuvendi pritet të votojë sot, 5 tetor, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat i japin fund Reformës Zgjedhore, vlen të shohim se si u arrit ajo.

Reforma Zgjedhore ishte një ndër pikat e marrëveshjes McAllister e firmosur në 18 maj 2017 për zgjedhjet e përgjithshme.

Ajo përfshinte angazhimin e dy partive kryesore, PD dhe PS, për të punuar bashkarisht për ndryshimet në kodin zgjedhor bazuar në rekomandimet e OSBE-ODIHR të përfshira në raportet e viteve 2013, 2015, 2017, të pazbatuara asnjëherë.

Në 10 nëntor 2017, Kuvendi ngriti Komisionin e posacëm të Reformës Zgjedhore, me afat deri ne 30 qershor 2020, me objekt hartimin e reformës sipas rekomandimeve të OSBE-së në tri zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe 2017.

Puna e Komisionit të Posaçëm ndaloi dosa herë, si pasojë e lënies së mandateve, bojkotit të zgjedhjeve vendore, tërmetit.

Përveç kësaj, për një kohë të gjatë mbledhjet e tij dështuan sepse nuk diskutohej realisht për ndryshime konkrete në Kodin Zgjedhor.

Deri më tani, 5 tetor,  janë kryer 20 mbledhje, ku në 18 mbledhjet e para u diskutua mbi modelet e vendeve të huaja për reformën zgjedhore, ndërsa vetëm në dy mbledhjet e fundit, në shtator, janë diskutuar propozimet e shumicës socialiste të cilat pritet të miratohen sot në kuvend.

U desh krijimi i Këshillit Politik, një organ jashtë parlamentit, i propozuar nga opozita (PD dhe LSI) dhe i mbështetur nga ndërkombëtarët, që të fillonin diskutimet konkrete për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Pas disa muajsh bisedime, sërish draft-Kodi që pritet të miratohet në kuvend është vetë propozim i Partisë Socialiste, ndërsa PD e LSI e kanë kundërshtuar atë.

Reforma Zgjedhore si kusht për hapjen e bisedimeve

Deputeti socialist Taulant Balla i premtoi Komisionerit të BE-së për Çështjet e Jashtme, David McAllister, dhe atij për Zgjerimin, Johannes Hahn, se reforma zgjedhore do të kalonte me konsensus para Krishtlindjeve të vitit 2018.

Në korrik 2018, raportuesi për Shqipërinë në parlamentin gjerman, Thorsten Frei, deklaroi se “takimi i parë për pranimin do të zhvillohet vetëm pasi zgjedhjet lokale të zhvillohen, në bazë reformës së re zgjedhore të miratuar në mënyrë konsensuale”.

Po ashtu, në tetor të vitit 2018, Komisioni Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, këmbënguli tek “nevoja për të zbatuar në kohë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që janë ende të pazbatuara, nga raportet e ndryshme paszgjedhjore, veçanërisht ato që lidhen me pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, transparencën në financimin e fushatës, regjistrimin e votuesve, blerjen e votave dhe votimin jashtë vendit”.

Ende edhe sot, dy vite më pas, realizimi i Reformës Zgjedhore vazhdon të jetë kusht që BE-ja i ka vënë Shqipërisë para realizimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, e cila përcakton fillimin në praktikë të negociatave Shqipëri-BE.

Kjo konferencë parashikohet të mbahet në fund të vitit 2020 ose në muajt e parë të viti 2021.