Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, në rang kombëtar, 48.7% e shqiptarëve të anketuar mendojnë se do të fitonte PS.

Sipas sondazhit të IPSOS, transmetuar në kanalin Top Channel, 40.6% do të votonin Partinë Demokratike dhe 4.6% LSI-në.

Vetëvendosje renditet e katërta në rang kombëtar me 2.3% e ndjekur nga Nisma thurje me 1%.

Nëse do të bënim një krahasim të shifrave me vitin 2017, nga ky sondazh shihet një rënie e LSI dhe një rritje e PD, e cila mban në gjirin e saj edhe PDIU dhe aleatët.

Surpriza është padyshim Vetëvendosje, e cila garon për herë të parë në Shqipëri. Sipas sondazhit, ajo renditet si partia e katërt dhe me gjasë do futet edhe në parlament.

Si ndahen mandatet në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Në sondazhin e dytë është bërë dhe një ndarje sipas qarqeve, kështu në Tiranë PS merr 48,1 përqind që përkthehet në 19 mandate dhe PD 42,6 përqind në 16 mandate, ndërsa LSI me 3,4 përqind vetëm 1 mandat. Ndërsa në vitin 2017 ishte për PS-në 18 mandate, PD 11 dhe LSI 5.

Në qarkun e Durrësit, PD merr 47,8 përqind që pëkthehet në 7 mandate dhe PS 44,8 përqind po 7 mandate, ndërsa LSI merr 5,5 përqind, por asnjë mandat. Sipas këtij projeksioni Rama nuk zgjidhet deputet, por varet nga vota preferenciale

Në Elbasan PS merr 49 përqind ose 8 mandate dhe PD 41 përqind ose 6 mandate, ndërsa LSI asnjë mandat.

42% e qytetarëve mendojnë se zgjedhjet i fiton PS, vetëm 29% PD-LSI

42% e qytetarëve shqiptarë të anketuar në 12 qarqet e vendit nga gjigandi botëror IPSOS në sondazhin e organizuar në bashkëpunim me Top Channel, mendojne se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do t’i fitojë Edi Rama.

27% e të anketuarve mendojnë se zgjedhjet do të fitohen nga  koalicioni PD –Aleanca për ndryshim.

Vetëm 2% e të anketuarve mendojnë se do të fitojë LSI, ndërsa një numër i lartë, prej 24%  janë përgjigjur “nuk e di”.

39% e shqiptarëve duan Ramën si kryeministër, Basha rritet me 4 pikë

39% e qytetarëve do të donin që të qeveriseshin sërish nga kryeministri Edi Rama.

Surpriza është se ka një rritje të numrit të shqiptarëve që duan që të drejtohen nga Lulzim Basha si kryeministër. Në sondazhin e parë të muajit shkurt, 29% e shqiptarëve thanë se duan Bashën kryeministër, por në sondazhin e dytë, kjo shifër ka shkuar në 33%.

Gjithsesi, kryeministri kryeson me 6% diferencë, çka tregon sipas sondazhit që gëzon më shumë besim tek shqiptarët se lideri i opozitës.20% e të anketuarve janë përgjigjur “nuk e di”, një shifër që mund të përmbysë raportet.