Nga Marlin MUÇA

Si sot 5 vite më parë lëvizja studentore e dhjetorit 2018 do të zbriste në shesh një ditë pas bojkotit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës.

Lëvizja jonë ishte një shans i humbur për t’i bërë gjërat më mirë në Shqipëri, por nuk mund të mohohet roli i saj si gur kilometrik në rrugën e vështirë të demokracisë shqiptare. Ai brez studentesh, i cili sot e ka përfunduar plotësisht ciklin e studimeve, ishte një “carbon copy” e shoqërisê shqiptare me të gjitha stereotipet, problematikat, tërheqjen e pashmangshme me të shkuarën e saj diktatoriale dhe kaosin e shëmtuar të këtyre 30 viteve të fundit. Produkti atipik i këtij tranzicioni të stërzgjatur nuk mund tê kishte fat tjetër përpos fundit të pamerituar që pati lëvizja jonë. Pavarësisht zhgënjimit dhe degradimit që zuri fill pas asaj proteste, njohja e studenteve me moshatarët e tyre të të njëjtit profil ose të disiplinave të tjera të studimit, e cila në kushtet të ndryshme do të ishte e pamundur, ishte përgatitja perfekte për atë çka do të gjenim menjëherë pas përfundimit të studimeve tona: Një katrahurë e cila kërkon shumë vite të zgjidhet e të kurohet.
Fotoja më poshtë i përket 7 dhjetorit 2018. Ironikisht në të mund të shihet kërshëria dhe hutimi i disa punëtorëve që po punonin në pallatin e nisur në krah të FDUT-së, duke parë turmën e studentëve tek përshkonte rrugicat që lidhnin Tiranën e Re me Korpusin e Universitetit. Një foto e tillë do t’i shkonte së tepërmi mbase lëvizjes së studentëve francezë të 1968-ës, bashkimi i të cilëve me punëtorët e asaj kohe, rrezikoi seriozisht Republikën e disatë Franceze.

Në këndvështrimin tim kjo është fotoja me kuptimplote e atyre ditëve. Mbase e një profecie që nuk u realizua kurrë…