Policia e Shtetit nuk gjen ‘paqe’ me tenderët për vesh-mbathjet e efektivëve të saj. Dhe përsëri pas skenarit qëndron Ministria e Brendshme, aktualisht e drejtuar nga Sandër Lleshaj, si dhe Agjencia e Blerjeve të përqendruara në varësi të saj. Por që duket se këtë herë ka mbyllur njërin sy edhe Agjencia e Prokurimeve Publike, duke lejuar shpalljen e fituesit pas tre tentativave për tenderim. Një dëm ekonomik që paraprakisht vlerësohet se është 5 mln euro, por ekspertët e fushës dyshojnë se mund të shkojë në mbi 10 mln euro, pasi “djalli fshihet në detaje”, ku është manipuluar gjithçka në numra dhe që kërkon transparencë.

Më 14 korrik 2020, Ministria e Brendshme dhe Komisioni i Ofertave kanë shpallur fituese pikërisht kompaninë e njohur në kontraktimet e shumicës së prokurimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Brendshmes, “D&E SH.P.K”, (Bashkim i operatorëve ekonomikë), e specializuar kryesisht në “Gërmime dheu” dhe “prodhime vesh-mbathjesh”. Skandali i parë qëndron në faktin se nga fondi limit që MB kishte shpallur, 2,8 mld lekë të reja pa TVSH, ka qenë kompania turke “Genc Taahhut Giyim Tekstil Insaat San.Ve Tic.LTD. Sti”, ajo që ofroi një shifër me 500 milionë lekë të reja më pak (ose rreth 5 mln euro), se fondi limit i Komisionit të Ofertave. Ky i fundit ka kualifikuar si fituese pikërisht kompaninë shqiptare “D&E”. Vetëm ky fakt përbën shkakun kryesor që ky tender të kalojë menjëherë në verifikim, apo hetim të Prokurorisë së Posaçme SPAK, për të gjetur arsyet përse fituese u shpall kompania që dha ofertën më të lartë. Mësohet se firma turke aktualisht e ka bërë një ankesë në Ministrinë e Brendshme.

Por skenari i dytë i dyshuar që e dyfishon shifrën e dëmit është përllogaritja e materialeve, apo zërave në tabela nga Ministria e Brendshme për tenderin. Ndryshe nga procedurat që ndiqen për Gardën e Republikës me copë për total, për uniformat e Policisë së Shtetit është përshkruar me copë për një (1 copë), pa dhënë shifrën totale të kostumeve apo këpucëve, ose e thënë në gjuhën teknike, është llogaritur me shumatore. Pra janë përdorur dy standarte në prokurime, tjetër për Gardën e Republikës dhe tjetër për Policinë, ku që të dyja janë në varësi të Ministrisë së Brendshme, e drejtuar nga Sandër Lleshaj.

Përpos, në këtë manovrim ka ndodhur diçka edhe më dyshuese, që gjithashtu ka nevojë për hetim. Bëhet fjalë për ndryshimin e shifrave nga tenderi i parë i dështuar i 19 gushtit 2019, tek tenderi i dytë më 5 nëntor 2019 dhe në fund ai final më 14 korrik 2020. Po të verifikosh tabelat dhe shifrat në dokumentacione, dallohet se në tenderin e parë janë mbi 726 mijë artikuj (zëra) të ndryshëm për fondin 28 mld lekë të vjetra, kurse në tenderin e dytë bëhen 486 mijë artikuj me të njëjtin fond limit, po 28 mld lekë. Pra, edhe pse ka gati 240 mijë artikuj më pak në tenderin e dytë, fondi limit nuk ka ndryshuar!

Nuk jepet asnjë sqarim përse ka ndodhur kjo ulje sasie, por të jep dyshime të forta për një manipulim që kërkon transparencë. Dhe për çudi numri rendor i artikujve, apo njësive, nuk ndryshon në tabela, nga 1-123, si në tenderin e parë të datës 19 gusht 2019 që u anulua, po ashtu në tenderin e dytë të 5 nëntorit 2019 dhe në atë final të shpalljes së fituesit, mes procedurave nga maji në korrik. Më 11 maj 2020 procedurat e tendrit janë mbyllur dhe më 14 korrik 2020 kompania “D&E” është shpallur fituese. Pra duket se janë kryer manovra shifrash në Shtojca me elementët “Ishte” dhe “Bëhet”, nga tenderi i parë në të dytë.

Por duke analizuar shifrat dhe të dhënat, referuar edhe publikimit gjatë dy ditëve të fundit në disa media të lajmeve për shkelje nga Komisioni dhe Ministria e Brendshme, duket se tenderi i uniformave të Policisë ka qenë i paracaktuar. Ajo që qëndron si një “ajsberg” mbetet vetëm shifra e dëmit, që për disa nga ekspertët mendohet se bazuar në tre skenarët e përmendur më sipër, shkon në mbi 10 mln euro. Këtu duke llogaritur 5 mln euro të rrëzimit të ofertës më të ulët të kompanisë turke, 5 mln euro të tjera që dalin nga ndryshimi i artikujve nga tenderi i parë tek i dyti, me të njëjtin fond limit dhe e treta tek shumatorja për njësi dhe artikull në kërkesë-ofertë, ndryshe nga procedura e tenderit që është ndjekur për Gardën e Republikës.

Metodologjia që ka ndjekur Ministria e Brendshme për tenderin e uniformave të Policisë është dukshëm e ndryshme nga ajo e Gardës dhe sipas ekspertëve, futja e procedurës me shumatore për njësi, të lejon që manipulimi dhe abuzimi në çmime të shkaktojë dëm edhe më të madh. Në këtë prizëm, nëse vlerësimi për shumatoren limit të çmimeve për njësi ka qenë 621 mijë lekë, fituesi i tenderit llogaritet se e ka marrë atë me 319 mijë lekë për njësi, ose sa 51% më pak e shumatores limit. Por kjo teknikë vlerësimi u mbetet për ta analizuar ekspertët e fushës, pasi mbetet një vlerësim i sipërfaqshëm në dukje të parë.

Por shkeljet që janë të dukshme në këtë tender plotë ‘njolla’ janë përjashtimi si fitues i kompanisë që ofroi 5 mln euro më pak dhe lëvizja e shifrave në tabela të sasisë së mallit (uniformave), pa ndryshuar fondi limit.

Po në gjuhën teknike nuk mund të llogaritet nëse cilësia e mallit të ofruar nga fituesi është ajo e standarteve bashkëkohore, pasi edhe kjo pjesë i takon ekspertëve të fushës, por indikatorët bazuar në dokumentacionet që tashmë janë edhe në sistem, të lënë të ngresh dyshime të forta se përsëri tenderi i uniformave në Policinë e Shtetit ka qenë me probleme dhe abuziv.

 

Loja dhe me SHTOJCAT

Një tjetër hije dyshimi në procedurat tenderuese për uniformat e Policisë së Shtetit janë edhe “Shtojcat” që Ministria e brendshme, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave apo Prokurimeve kanë hartuar dhe publikuar në dokumentacione. Aty renditen tabelat dhe grafikët për sasitë, çmimin, totalin, njësitë dhe të dhënat e tjera. Tenderi për uniformat është 4-vjeçar dhe furnizimi bëhet me kapacitete të ndryshme për vit prodhimi dhe stinë. Në tenderin e parë të 19 gushtit 2019 që u anulua më pas, në Shtojcën nr. 13 theksohet “Sasia dhe Grafiku i Lëvrimit”. Aty dallohet se numri rendor për njësi është nga 1-123. Më tej përshkruhen nga viti i parë, deri tek i katërti për prodhim dhe furnizim në bazë pagese. Njësia matëse dhe uniformat, si dhe sasitë me 8 kuti tabele. Pra grafiku është i ndarë në 8 kuti apo tabela. Sasia në total e artikujve është 726 mijë e 643. Çuditërisht në tenderin e dytë të hapur më 5 nëntor të vitit 2019 vihet re një ndryshim. Aty nuk ndryshon numri i Shtojcës 13, as njësitë 1-123, njësia matëse dhe emërtimi i artikujve. Por tashmë grafiku i tabelës është më i mbledhur, i janë hequr 4 kuti nga i pari dhe ka mbetur me 4. Ndërsa në grafikun e tenderit të parë të anuluar sasia e pritshme ishte mbi 726 mijë artikuj, te grafiku i tenderit të dytë ky numër ndryshon, ashtu sikurse ai i kutive, që u bë nga 8 në 4. Sasia total është ulur ndjeshëm në 486 mijë artikuj, ose rreth 240 mijë më pak nga tenderi i parë. E thënë më ndryshe, do të blihen rreth 240 mijë artikuj më pak për Policinë e Shtetit, por me të njëjtin fond limit si në fillim, i pandryshuar. Një tjetër detaj është fakti se në grafikun e parë përshkruhet për secilin vit prodhimi (4 vjet) sasia, numrat dhe njësitë të detajuara, kurse në tabelën e dytë zërat “Viti i Parë”, “Viti i Dytë”, “Viti i Tretë”, “Viti i Katërt” nuk ekzistojnë më. Pra mbetet mister numri i sasisë që Policia e Shtetit kërkon çdo vit si furnizim. Pra nëse në tabelën e parë formati ka 8 kolona, në të dytën mbetet me 4 kolona! A është hequr qëllimisht, kamufluar në përmbajtje për sasi, apo është një gabim teknik? Kësaj pyetje sigurisht mund t’i japin përgjigje vetëm ekspertët. Dyshimi është se sasia e rreth 240 mijë artikujve më pak në prodhim të kërkuar në tenderin e dytë me të njëjtin fond limit si në fillim, 28 mld lekë pa TVSH (mbi 33 mld lekë me TVSH), ka një kosto prej 5 mln eurosh, pra që vlerësohet si dëm ekonomik. Kompania do prodhojë rreth 240 mijë artikuj më pak, por do të marrë të njëjtën shumë lekësh sikur të prodhonte 726 mijë artikuj që përmbante tenderi i parë i anuluar i 19 gushtit 2019.

U ndërhy edhe te Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, që të skualifikonte kompaninë turke?

Një tjetër akt që ka rritur dyshimet në tenderin e uniformave është Komisioni i Ofertave. Në fillim të procedurës në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ishin vetëm 3 anëtarë, që duket se skualifikuan edhe kompaninë turke që ofroi rreth 5 mln euro më pak. Si pasojë e rezistencës së një pjesë të këtij komisioni për të shkelur ligjin, në këtë komision u shtuan papritur dy anëtarë të rinj pa asnjë shpjegim, duke e çuar numrin në 5 persona. Dyshohet se drejtoresha e Agjensisë së Blerjeve të Përqëndruara, Edlira Naqellari dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kanë pasur dijeni për lëvizjet në Komision, duke mos ndërhyrë. Përsëri Komisioni ka këmbëngulur për të shpallur fituese kompaninë që ofroi më pak. Këtu vjen dorëheqja e papritur e një prej anëtarëve në datë 09.06.2020, në mes të procedurës dhe pa asnjë shpjegim. Komisioni ka hezituar pasi kompania që tashmë është shpallur fituese, “D&E”, jo vetëm që kërkoi më shumë para për tenderin, por dyshohej se nuk ofronte cilësi në prodhim. Më plotësimin e Komisionit, në fund u arrit që të skualifikohej firma turke dhe të shpallej fituese ajo më sipër.

©Copyright Vala-News.com