Një situatë, me nota absurdi duket se po zhvillohet ndërmjet nxënësve dhe drejtuesve të shkollës së mesme “Naim Frashëri”, në Durrës.

Komiteti Shtetëror për Rindërtimin ka vendosur që godina e gjimnazit do të prishet, për shkak se është vlerësuar se dëmtimet prej tërmetit të 26 Nëntorit janë shumë të mëdha.

Por, ndërkohë që godina pret vetëm goditjen e fadromave, bazuar në vendimin e Komitetit të drejtuar nga Arben Ahmetaj, nxënësit e kësaj shkolle janë detyruar të paguajë nga 10 mijë lekë të vjetra secili, nën justifikimin “për mirëmbajtjen e godinës”.

Të paktën, ky është denoncimi i mbërritur në redaksinë e “Boldnews.al” nga disa nxënës të shkollës, të cilët deklarojnë se disa persona nga stafi pedagogjik po i detyrojnë që të paguajnë shumën e parave, nën direktivën e drejtoreshës së komanduar të shkollës, Ezmeralda (Alda) Xheraj.

“Boldnews.al” tentoi të kontaktonte më shumë se njëherë, në rrugë telefonike me drejtoreshën e shkollës, për të marrë versionin e saj mbi këtë situatë absurde.

Fillimisht, zonja Xheraj refuzoi komunikimin telefonik pas prezantimit të përfaqësuesit të redaksisë, duke argumentuar se “shqetësohej, pasi kishte një ngarkesë” (në atë moment).

Deri në publikimin e këtij shkrimi, drejtoresha Xheraj nuk i ktheu përgjigje mesazhit telefonik të redaksisë, në të cilin iu kërkua të prononcohej nëse ishte e vërtetë që drejtoria e shkollës kishte vendosur detyrimin që nxënësit të paguanin nga 10 mijë lekë të vjetra dhe, nëse realisht kjo “tarifë” do të shkonte për “mirëmbajtjen” e godinës, e cila pritet të shembet.

Të rinjtë gjimnazistë, të cilët kontaktuan me “Boldnews.al”, deklaruan se “ata ndiheshin të fyer dhe të vjedhur nga detyrimi për të paguar një “tarifë”, e cila është absurde dhe tërësisht e paligjshme”.

Sipas tyre, mbi 700 nxënës të kësaj shkolle janë detyruar të rëndojnë buxhetin e familjeve të tyre me 10 mijë lekë të vjetra, për më tepër që nuk e kanë të qartë se cili është destinacioni i këtyre parave.

Në Qershor 2020, Komiteti Shtetëror për Rindërtimin vendosi prishjen e godinës së gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës, për shkak se Instituti i Ndërtimit kishte konstatuar se ajo ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

“Boldnews.al” ka raportuar më herët për dyshimet mbi këtë vendim të Komitetit të Rindërtimit. Nga një vëzhgim në terren, i kryer nga redaksia, të paktën në pjesën e jashtme, ndërtesa e “Naim Frashërit” nuk dukej të kishte asnjë lloj plasaritje.

Gjithashtu, dyshimet për vendimin e Komitetit u forcuan më tej, kur mësues, nxënës dhe prindër të tyre, konfirmuar se godina kishte qenë funksionale deri në Mars 2020, pra 4 muaj pas tërmetit, kohë kur sistemi arsimor u mbyll për shkak të pandemisë.

Banorë të zonës pranë shkollës, si edhe disa prindër të gjimnazistëve, të kontaktuar më herët nga “Boldnews.al”, ngritën dyshimet se pas vendimit për prishjen e shkollës qëndron një aferë korruptive ndërtimi.

Sipas tyre, rrëzimi i “Naim Frashërit” mund të jetë hapi që i paraprin ndërtimit të komplekseve private të banimit në atë zonë.

Disa prej tyre ngrenë dyshimin se godina do të prishet për t’i hapur rrugë ndërtimeve private, pallate ose qendra tregtare.

Pjesa e pasme e shkollës është e rrethuar me shtëpi përdhese ose maksimumi dy-katëshe, një pjesë e të cilave janë ndërtime të hershme.

Një prej banorëve të zonës, në një komunikim për “Boldnews.al” deklaroi se janë përballur me kërkesa nga investitorë ndërtimi për t’u dhënë truallin, në këmbim të apartamenteve në pallatet e reja.

Një pjesë e banorëve janë joshur nga këto oferta, por gjithësesi ato kanë mbetur të parealizuara deri më tani. Shkak ka qenë fakti që godina e shkollës “Naim Frashëri” pengonte zhvillimin e projekteve private.

Vendimi për rrëzimin e shkollës “Naim Frashëri” duket se hap rrugën për kullat private, siç mendojnë një pjesë e banorëve, por edhe disa prindër të nxënësve që mësojnë në këtë shkollë.

Akti i ekspertizës për gjendjen e godinës së gjimnazit “Naim Frashëri” nuk është bërë publik.

Po ashtu, përveç termit “Rindërtim”, për shkollën “Naim Frashëri” në Durrës, vendimi i Komitetit të drejtuar nga Ahmetaj, nuk ka asnjë detaj tjetër, përfshirë faktin nëse do të ngrihet në të njëjtin vend apo diku tjetër, sa do të jetë sipërfaqja dhe të tjera të dhëna të përgjithshme.

Mungesa e plotë e transparencës forcon dyshimet e banorëve përreth shkollës dhe shumë prindërve të nxënësve se shkatërrimi i “Naim Frashërit” mund të shërbejë si mbulesë për projekt korruptiv ndërtimesh private.

BoldNews