Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot rastin e denoncuar nga emisioni “Stop” në Tv Klan. Nga një vizitë që ka pasur në qendrën shëndetësore Nr.1 në Tiranë, Rama tha se është shumë i keqardhur nga skandali i denoncuar dhe shtoi se ajo ngjarje cenon imazhin dhe krijon idenë se korrupsioni dhe sjellja e sanitares është pjesë e punës së mjekëve dhe infermierëve.

Më tej ai shtoi se e vetmja që i kishte pëlqyer ishte puna e gazetarëve, të cilët kishin shkuar shumë thellë në investigim, por nuk kishte rezultuar që sanitarja të ishte e lidhur me mjekë apo infermier në spital.

“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët, më shumë për ata që punojnë në kushte në të cilat punonit ju para pak kohësh. Patjetër në këtë situatë kaq të ngatërruar, jam shumë i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares, që faktikisht cenon imazhin, reputacionin edhe punën e mjekëve dhe infermierëve. Dhe krijon perceptimin që kjo është një mënyrë të punuar, apo pjesë e sistemit të punës. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e gazetarëve investigativ. Kanë nxjerr në pah një llum dhe njëkohësisht nuk kanë provuar, nuk ka rezultuar se ajo sanitare nuk ka qenë e lidhur me mjekë apo të ishte një zinxhir me punonjës të tjerë”, tha Rama.

Më tej kreu i qeverisë e quajti sanitaren një fundërrinë dhe tha se ajo nuk e zhbën dot punën e gjithë bluzave të bardha.

“Patjetër që kur nuk ka pyll pa derra, nuk ka asnjë sistem që të mos ketë fundërrina të tilla. Por kjo nuk e zhbën kurrë punën e mjekëve dhe infermierëve”, vijoi kreu i qeverisë.