Brenda datës 5 gusht klubi i Skënderbeut do ta ketë të qartë të ardhmen e tij. Gjykata Federale e Zvicrës, sipas burimeve konfidenciale të Gazeta Si pranë klubit korçar, do ta shpallë vendimin brenda kësaj date. Janë edhe 5 ditë ankthi për korçarët, pasi nga ky vendim varet gjithçka.

Çështja e dënimit të Skënderbeut nga UEFA me 10 vite jashtë Kupave të Europës ka disa vite nëpër gjykata. Pas vendimit të parë në UEFA-s, drejtuesit e çuan çështjen në Apel, pro asgjë nuk ndryshoi. Më pas iu drejtuan Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nëpërmjet një studioje ligjore të huaj, por edhe në këtë rast vendimi mbeti po i njëjtë. Tani fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Federale në Zvicër.

Duhet sqaruar se kjo gjykatë analizon procesin e gjykimit të Skënderbeu nga UEFA, pra nëse kemi të bëjmë me një proces të rregullt gjyqësor apo jo. Nëse procesi gjyqësor nuk është bërë konform rregullave, atëherë mund të ketë një rigjykim të çështjes. Kjo do të thotë se për Skënderbeun nuk përfundon gjithçka këtu, edhe nëse merr përgjigje pozitive nga Gjykata Federale. Gjithsesi, drejtuesit e Skënderbeut shpresojnë shumë që vendimi të jetë pro tyre dhe më pas ndjekin hapat e tjerë për rigjykimin e çështjes.