Prokuroria e Posaçme kërkon 12 vite për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por ai përfiton gjykim të shkurtuar deri në 8 vite.

Pas disa seancash të dështuara, ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit nisi rishqyrtimin e dosjes në ngarkim të Saimir Tahirit.

Në seancë, prokurorët e SPAK-ut këmbëngulën për deklarimin fajtor të Tahirit për akuza që e lidhin atë me trafikun e drogës dhe grup të strukturuar kriminal. Ata i kërkuan gjykatës dënimin me 12 vite burg.

Por, duke qenë se gjykimi është bërë me procedurë të shkurtuar, i kërkuan që të ulet edhe 1/3 e dënimit, duke kërkuar një dënim përfundimtar prej 8 vitesh burg.

I njëjti dënim është kërkuar edhe për Jaeld Çelën.

Ndërkohë, Saimir Tahiri pretendoi se nuk qëndron asnjë prej akuzave të ngritura kundër tij, duke thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me anëtarët e grupit të Habilajve.

Më 20 shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” duke e dënuar atë me 5 vite heqje lirie, dënim i pezulluar nga gjykata për t’u konvertuar në 3 vite shërbim prove.

Ish-ministri gjithashtu u akuzua për “trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, por ato u rrëzuan nga gjykata.