Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkon nga Gjykata rikthimin në qeli të mjekut Edvin Priftit, i cili u lirua më 2 mars. SPAK i ka bërë rekurs vendimit të Apelit të Posaçëm, që liroi nga qelia Priftin.

Sipas prokurorëve të SPAK, ata kanë siguruar prova të mjaftueshme që krijojnë dyshime se Prifti kishte ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.

Prokurorët thonë gjithashtu se dëshmia e Migena Skënderit konfirmon rezultatet e hetimit të ngarkim të mjekut Priftit dhe për këto arsye kërkojnë shfuqizimin e vendimit për lënien e lirë të tij.

Gjykata e Posaçme e Apelit liroi nga qelitë e paraburgimit kardiokirurgun e QSUT-së, Edvin Prifti, i cili ishte lënë në burg prej gati tri javësh pas dyshimeve për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.

Ai u prangos për llogari të njëjtit hetim që çoi në burg edhe gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, avokatin Aldo Tabaku, kryesekretaren e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi dhe shtatë persona të tjerë.