Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, në një forum të organizuar nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, studentë, pedagogë dhe politikanë diskutuan mbi cilësinë e arsimit në universitetet publike, duke shënuar dy vjetorin e protestave studentore kundër reformës neoliberale të arsimimit të lartë.

“Këshillat studentore nuk janë zëri i të rinjve, por janë zgjedhur dhe përshtatur në forume politike partiake, të cilat realizojnë vetëm propagandë”, deklaroi një prej studentëve pjesëmarrës gjatë forumit.

“Korrupsioni në universitete vijon në sferat ekzekutive dhe ato legjislative, Karta e Studentit nuk funksionon, nuk u realizua asnjë veting te stafet pedagogjike, ndërsa universitetet po përdoren nga politika për tendera, punësime dhe propagandë politike,” shtoi ai.

Përafërsisht në vendin tonë numërohen rreth 115 mijë studentë që ndjekin universitetet publike. Raportet më të fundit dhe realiteti studentor në vend, kanë pasqyruar shpesh problematika thelbësore në universitete të studentëve shqiptarë.

Gjatë takimit online të së mërkurës, studentët sollën në vëmendje jo vetëm çështjen e korrupsionit por edhe shqetësimet e tyre mbi procesin e mësimit online, një nga pasojat e pandemisë së COVID-19.

“Mësimi në distancë që zhvillohet në këtë periudhë, është pothuaj i dështuar, pasi në qytetet e tjera të Shqipërisë, përveç Tiranës, jo vetëm mungon interneti dhe mundësia e lidhjes me të, por shpesh edhe energjia elektrike, ndërsa niveli ekonomik i studentëve nuk ndihmohet aspak nga qeveria për të përballuar këtë situatë,” theksoi një pjesëmarrës i forumit.

“Nuk mund të imagjinohet aspak praktika apo përdorimi i laboratorëve,” shtoi ai.

Të pranishëm në forumin online, disa pedagogë ndanë të njëjtin mendim mbi pamjaftueshmërinë e rolit parësor që kanë universitetet në formimin profesional të studentëve.

“Këto shkolla, sepse nuk mund të quhen universitete, nuk janë në nivele akademike, janë zgjatime të shkollës së mesme dhe përmbi të gjitha politika dhe qeverisja në vend, vijon të gënjejë për kampuset universitare,” u shpreh Merita Poni, pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale.

Ajo shtoi se ne vitin 2020 akoma mungojnë kushtet në universitete për ndjekjen e shkollës nga studentë me aftësi të veçanta.

Gjithashtu, ish-zv/ministrja e arsimit, Nora Malaj u shpreh se pagesa e tarifave të njejta universitare në kushtet e mësimit të distancuar është një shkelje e premtimeve të qeverisë.

“Qeveria po shkel rëndë ligjin aktual mbi arsimin e lartë në vend me detyrimin që po i bën studentëve të ndjekjes së mësimit në distancë duke vijuar të paguajnë të njëjtat tarifa”, përfundoi Malaj.