Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi një studim të fundit, sipas të cilit, orët e gjata në punë vrasin mijëra jetë çdo vit.

Ky studim që është kryer për herë të parë tregon se vetëm gjatë vitit 2016, 745 mijë persona humbën jetën si pasojë e sëmundjeve të zemrës për shkak të orëve të gjata në punë.

Vendet që kanë shënuar më shumë fatalitete nga puna e lodhshme ndodhen në Azinë Juglindore dhe Paqësorin Perëndimor.

Studiuesit zbuluan se të punosh 55 orë ose më shumë në javë është e lidhur me një rrezik 35% më të lartë për të pësuar atak kardiak apo 17% më shumë për të vdekur nga sëmundjet e zemrës, në krahasim me ata që punojnë 35-40 orë në javë.

Studimi, i kryer në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës tregoi se pothuajse tre të katërtat e atyre që vdiqën si rezultat i punës me orë të gjata ishin burra të moshës mesatare ose më të vjetër.

Ndërsa studimi nuk mbulonte periudhën e pandemisë, zyrtarët e OBSH bëjnë të ditur se puna në distancë dhe ngadalësimi ekonomik mund të kenë rritur rreziqet që lidhen me orët e gjata të punës.