Në vazhdën e vlerësimeve dhe dekoratave të shpërndara nga Presidenca, kreu i Shtetit, Ilir Meta ka dekoruar së fundmi këngëtarin e njohur Ylli Baka.

Presidenti i ka akorduar Ylli Bakës titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Me mirënjohje për përpjekjet e suksesshme dhe arritjet e shquara në prezantimin dhe ngritjen në një nivel të ri të këngës popullore e në veçanti të Jugut të Shqipërisë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të saj brenda dhe jashtë vendit. Për kontributin e shquar në fushën e kulturës, në interpretimin e rrallë të këngës popullore, por edhe në mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare si pjesë e fondit të artë të Folklorit Kombëtar”.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së dorëzimit presidenti vlerësoi këngëtarin Baka për kontributin e dhënë në muzikën popullore shqiptare

“Kam kënaqësi të veçantë të jem sot, bashku me ju, në këtë ceremoni, për të vlerësuar një nga artistët e mëdhenj të muzikës sonë popullore, z.Ylli Baka, shumë të dashur e të vlerësuar nga publiku shqiptar.

Ylli Baka vjen në këngën shqiptare si një këngëtar me identitet të spikatur, duke krijuar një profil të veçantë dhe të papërsëritshëm.

Midis shumë këngëtarëve, Ylli Baka është i dallueshëm nga të tjerët, jo vetëm me zërin karakteristik, por edhe me stilin e veçantë të këngëve të tij, që ka sjellë një risi pozitive në këngën shqiptare.

Në këngët e Ylli Bakës ndihet në mënyrë të drejtpërdrejtë tingëllimi i polifonisë labe, çka e thjeshtëzon përcjelljen e saj tek dëgjuesit, jo vetëm të trevave të Jugut, por në mbarë publikun shqiptar.

Këngët e tij nuk janë thjeshtë kënge polifonike tradicionale të trevave Labe, të Tepelenës, të Skraparit, të Lumit të Vlorës apo Këngët e Bregut të Himarës e Pilurit, por janë krijime të reja me individualitete, bazuar në motive popullore”, tha mes të tjerash Meta.