Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka nuk ka operuar i vetëm në mashtrimin për inceneratorin e Elbasanit.

Sipas saj në aferën korruptive janë të përfshirë edhe persona të tjerë, andaj për këtë arsye do të vazhdojnë hetimet paralel me SPAK.

“E gjithë skema e inceneratorëve nuk është veçse një hartë e operimit të një grupi të strukturuar kriminal,” deklaroi Tabaku.

Deputetja nënvizoi se sot para drejtësisë duhet të ishin dhe tre kryetarët e bashkive, Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, për të mbajtur përgjegjësi për koncesionet e inceneratorëve.

“Ndërkohë që flasim pagesat zyrtare vazhdojnë për inceneratorin e Fierit. Inceneratori i Fierit dje ka marrë 500 mijë euro pagesë nga thesari,” – deklaroi Tabaku.

Ajo i ka bërë thirrje “avokatëve politikë e mediatikë” që të mos mbulojnë aferat korruptive të inceneratorëve, për hir të shqiptarëve, që sipas saj duhet të kuptojnë se çfarë ndodh dhe paratë e tyre.