Elson Kalaveri shqiptari 36-vjeçar i cili banonte në Colle u qëllua për vdekje të enjten në Pisa të Italisë në një vend të dyshuar si vendtakim “për sqarim hesapesh”.

Kjo është pista kryesore e ndjekur nga karabinierët të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes nën drejtimin e zv/Prokurorit të Pizës Giancarlo Dominijanni.

Sipas rezultateve të hetimeve deri tani për kërkimin e vrasësve, rezulton se vrasja e shqiptarit është kryer me gjakftohtësi. Hetuesit po “gërmojnë” mbi të kaluarën e 36-vjeçarit, emri i të cilit është shfaqur në një hetim për përfshirje në një rrjet prostitucioni, por ai nuk është dënuar kurrë.

Në momentin e vrasjes Kalaveri ndodhej në sendiljen e pasagjerit të një Mercedes-Class me targë gjermane ku udhëtonte së bashku me një tjetër person. Makina ishte e pajisur vetëm me targën e pasme ndërsa targa e përparme nuk u gjet, çfarë përbën edhe një tjetër mister lidhur me këtë ngjarje.

Bashkudhëtari i tij eci edhe rreth 1 kilometër për të kërkuar ndihmë, por pak minuta më vonë 36-vjeçari ndërroi jetë. Ai u qëllua të paktën 15 herë me armë zjarri.

Sipas të dhënave autorët e ngjarjes kanë qenë tre persona të cilët u larguan menjëherë me një automjet me xhama të errët.

Tashmë pritet deklarata e personit që ndodhej me Kalaveri në momentin e krimit për të mësuar nëse vrasësit qëlluan ndërkohë që makina ishte në lëvizje, apo kanë qenë në një takim e më pas kanë ikur me makinë. Duke pasur parasysh vendin e izoluar të ngjarjes, hetuesit dyshojnë se ka qenë një takim, ose një pritë që përfundoi në një tragjedi.

Ndërkohë priten ende rezultatet e ekspertizës balistike për të zbuluar se sa dhe cilat armë kanë qëlluar.