Geno Lena alias Shpati Lena 37 vjeç dhe Hakim Xhezo 34 vjeç janë dy viktimat e atentatit në Vlorë pranë mbikalimit të Panajasë. Ata janë emra të njohur për policinë, pasi janë përfshirë më parë në aktivitetet kriminale.

Lena ishte arrestuar në mars të këtij viti me dy persona të tjerë Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë.

Ata ishin të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre.

Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa vendosi masën “detyrim paraqitje” për Shpati Lenën. Në këtë ngjarje, është përfshirë edhe Hakim Xhezo i cili gjithashtu u la i lirë.

Vrasja ndodhi rreth orës 09:30 në autostradën Fier-Vlorë, teksa në drejtim të automjetit të tyre u qëllua me breshëri plumbash, nga një tjetër automjet në lëvizje.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe hetues nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.

Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se paraprakisht ka dyshime se kemi të bëjmë me vrasje me pagesë.

Shpati Lena u arrestua 5 muaj më parë, Xhezo vëllai i autorit të vrasjes në 2019

Shpati Lena është arrestuar 5 muaj më parë, konkretisht më 23 Mars 2022 në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pasi udhëtonte makinë së bashku me 2 persona të tjerë të armatosur. Njëri nga këta ishte Ariel Kingji 21 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim prej Gushtit 2019 si një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj. Edhe Shpati Lena u akuzua për këtë ngjarje të Gushtit 2019, si personi që ndihmoi të fshihej Ariel Kingjin. Por gjykata e la të lirë Shpati Lenën në masën detyrim paraqitje.

Ndërsa Hakim Xhezo 34 vjeç është vëllai i Eduart Xhezos, ky i fundit i akuzuar si autori kryesor për vrasjen e Arben Beqirajt në Gusht 2019 në Vlorë. Eduart Xhezo u arrestua në Tetor të 2019 në Durrës nën efektin e lëndëve narkotike.

Vrasja në zonën e plazhit në Vlorë në 4 Gusht 2019 tronditi vendin në kulmin e sezonit turistik. Shkaku ishte krejtësisht banal. Një person me kalë kishte kaluar në hapësirën e çadrave që menaxhohej nga viktima Arben Beqiraj. Ai u dhunua nga biznesmeni dhe djali i tij, por disa orë më pas, në lokal mbërritën 4 persona, që sipas policisë kanë qenë Eduart Xhezo, Ariel Kingji dhe 2 vëllezër.

Tentativa për t’u sqaruar ka vijuar me tone të larta derisa është qëlluar me breshëri armësh ndaj biznesmenit Arben Beqiraj i cili humbi jetën menjëherë, ndërsa djali i tij dhe një i afërm i tyre mbetën të plagosur. Eduart Xhezo, vëllai i Hakim Xhezos që u vra sot, u konsiderua si autori kryesor i ngjarjes. Aktualisht ndodhet në burg.

Megjithatë, nuk dihet nëse vrasja e sotme e Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos lidhet me ngjarjen e vitit 2019. Policia nuk përjashton nga hetimi as pista të tjera dhe po verifikon skedat e viktimave nëse kanë patur konflikte të tjera.

Burime nga policia thonë se Shpati Lena ishte person me precedent penal në fushën e krimit kundër personit dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike. Ndërsa Hakim Xhezo ka patur precedent penal për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.