Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se Gjermania nuk ka asnjë pengesë dhe është e hapur për përdorimin e vaksinave anti-COVID të prodhuara në Kinë dhe në Rusi, Sinopharm dhe Sputnik V nëse BE-ja i miraton ato.

Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn ka lënë të kuptohet se vaksinat e koronavirusit nga Kina dhe Rusia mund të përdoren në Evropë për të kapërcyer deficitin aktual të dozave.

“Pavarësisht nga vendi i prodhimit, nëse vaksinat janë të sigurta dhe efektive, ato mund të ndihmojnë në përballimin e pandemisë”, tha Spahn të dielën në një intervistë, duke shtuar se ato më parë duhet të miratohen nga EMA.

Ministri tha se ai nuk sheh ndonjë pengesë themelore për përdorimin e vaksinave kineze dhe ruse kundër COVID-19.

Edhe agjencia italiane e lajmeve ANSA shkruan “Nuk përjashtohet që Europa mund t’i hapë rrugë vaksinës ruse Sputnik dhe asaj kineze Sinovac.  Në horizont, në Itali është edhe vaksina italiane Reithera, në të cilën shteti Italian ka vendosur që të hyjë me kapital publik dhe që mund të jetë e disponueshme në muajin shtator”.

Rusia njoftoi të premten se do të ishte në gjendje të furnizonte me 100 milion doza të vaksinës së saj Sputnik VBE-në në tremujorin e dytë të vitit, e cila do bëjë të mundur vaksinimin e rreth 50 milion njerëzve. Kërkesa për aprovimin e vaksinës tashmë është dorëzuar në EMA.

Spahn shprehu gjithashtu se pandemia do të vihet nën kontroll gjatë vitit dhe se nuk do të ketë përvjetorin e saj të dytë.

Kjo deklaratë e ministrit të shëndetësisë kanë ardhur si pasojë e vonesave të furnizimit me vaksina nga dy kompanitë farmaceutike BionTech me Pfizer dhe Moderna.