Zgjedhjet në Shqipëri, REL: Probleme me identifikimin dhe votimin elektronik
14 Maj, 2023 11:34Zgjedhjet ShqiperiMadhësia e tekstit:
Balkanweb app Get it on Google Play

Sot në Shqipëri po mbahen zgjedhjet për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të 61 bashkive dhe për përbërjet e reja të këshillave bashkiake.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 10:00 ishte 8.08 për qind.

Në disa qendra ka vonesa në nisjen e procesit të votimit për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka probleme me paraqitjen e komisionarëve, kryesisht të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, në mbarë Shqipërinë janë shfaqur probleme me pajisjet për identifikimin biometrik dhe për këtë arsye, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka urdhëruar që identifikimi i votuesve të bëhet manualisht, përkatësisht përmes listës së votuesve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë 3 milionë e 653 mijë persona. Prej këtij numri, 122.545 janë qytetarë që do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës.

Në garën për drejtimin e 61 bashkive janë 144 kandidatë. Ndërkaq, për 1.603 ulëse në këshillat bashkiake garojnë 23.700 persona.

Në zgjedhjet e 14 majit janë regjistruar 40 parti dhe koalicione. Në tri bashki, Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet në mënyrë elektronike.

Në pjesën më të madhe të bashkive gara zhvillohet mes Partisë Socialiste dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” që drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, politikanë që në të kaluarën kanë mbajtur poste të larta drejtuese si kryeministër apo president i Shqipërisë.

Partia Demokratike, e cila drejtohet nga ushtruesi i detyrës, Enkelejd Alibeaj, ka kandidatë vetëm në 14 bashki. Kjo për shkak të përçarjes së Partisë Demokratike, pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të ish-liderit të këtij subjekti, Sali Berisha.