Nëna e Mateos që u vra në mënyrë makabre nga Klodian Çalamani ka kërkuar që vrasësi të varet dhe ta shikojë e gjithë bota.

E revoltuar dhe me dhimbje, në ambientet e gjykatës ajo ka kërkuar dënimin maksimal për monstrën Çalamani.

“Vetëm varje për atë monstër. Vetëm varje. Më mes të Fierit ta varin, se vrau një 8-vjeçar. Drejtësi për Mateon. Një fëmijë 8-vjeçar u nda nga shoqëria nga shkolla. Të varet ta shikojë e gjithë bota”, ka thënë e dëshpëruar nëna dhe familjarët e Mateos.

Familjarët e Mateos 8-vjeçar kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje për vrasësin e djalit të tyre, Klodian Çalamanin.

“Vinte na pyeste a e gjetët djalin, kemi mbajtur me bukë kriminelin”

Ata qëndrojnë jashtë Gjykatës së Fierit dhe për gazetarët janë shprehur se qëndrimi në burg do të jetë “hotel” për Çalamanin. Halla e 8-vjeçarit ka treguar gjithashtu edhe rrethana nga dita e krimit, se si Klodian Çalamani bënte sikur interesohej për zhdukjen e Mateos kur djalin e kishte groposur në oborrin e shtëpisë së tij.

Sipas saj, Klodian Çalamani duhet të bëhet shembull dhe të vendoset dënimi me vdekje për të shmangur tragjedi të ngjarje në të ardhmen.

“Ne e mbanim me bukë kriminelin. Vinte na pyeste e gjetët djalin. Po ne nuk na shkoi mendja, bënte sikur fliste në telefon ka humbur djali i shokut. Shyqyr që ishin kamerat e shtëpisë tonë që e nxorën të drejtën e djalit. Se djalin kush e di ku do na e kishte hedhur natën. Ja ky është shteti jonë. Do vejë në burg dhe do hajë prapë me taksat tona. Të vijë një dorë e kriminelit e të na marri djalin nga gjiri jonë, është e pafalshme, vetëm varje për atë. Të çohet gjithë populli të bëjë protestë. Kemi dhimbje shumë të madhe, na qan zemra, se lotët na janë tharë. Asgjë më shumë, vetëm varje për atë monstër, për atë kriminel. Sot e bëri tek ne, nesër do ta bëjë te dikush tjetër, po pse të lëndohet një nënë tjetër siç jemi lënduar ne. I vari atëherë Sali Berisha dy kriminela dhe ishte shembull”, ka thënë halla e 8-vjeçarit të ndjerë.

Mateo Vasiu 8 vjeç u godit me lopatë paraditen e 16 Nëntorit në fshatin Grecalli të Fierit nga 38-vjeçari Klodian Çalamani, i cili më pak e groposi në oborrin e shtëpisë së vetë. Dy familjet janë komshi me njëri-tjetrin. Arsyet e krimit të rëndë nuk dihen ende.

Sipas deklaratës së familjarëve, Klodian Çalamani e kishte dërguar 8-vjeçarin Mateo që t’i dërgonte bukë dhe i kishte dhënë biçikletën. Kur u kthye, e goditi për vdekje me sende të forta.